Aktuale

Presidenti shpall heronj të Kosovës 114 dëshmorët e rënë në Koshare

Në 20 vjetorin e Betejës së Koshares, presidenti i vendit, Hashim Thaçi i ka shpallur heronj të Kosovës 114 dëshmorët e rënën në këtë betejë.

Në Kompleksin Memorial në Koshare, familjarë të dëshmorëve e shumë qytetarë kanë përkujtuar të rënët në këtë betejë duke vendosur lule e bërë homazhe.

Homazhe kanë bërë edhe krerët më të lartë të shtetit.

Në hapjen e manifestimit “Ditët e Shqipes” Presidenti ka thënë se Beteja e Koshares hapi një kapitull të ri për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

“Kremtojmë 20 vjetorin e Betejës së Koshares e cila ishte vendimtare për çlirimin e Kosovës”, ka deklaruar presidenti Thaçi.

E kryeparalamentari Kadri Veseli dhe ministri i Mbrojtjes Rrustem Berisha kanë përmendur se si 20 vjet pas luftës shumë të rinj po e braktisin Kosovën.

“Shqiptarët edhe mund të shkojnë lirshëm në Evropë, por Kosova do të mbetet gjithmonë e shqiptarëve”, ka thënë Veseli.