Presidenti i Iranit, Hassan Rouhani, e ka akuzuar rivalin e vendit të vet, Arabinë Saudite, se po i përkrah terroristët në luftën e Jemenit, raporton televizioni shtetëror i Iranit.
Arabia Saudite dhe Irani garojnë për të pasur ndikim në Lindjen e Mesme, ku i përkrahin grupet rivale në Jemen, Siri, Irak dhe Liban, transmeton Express.
“Intervenimi i Arabisë saudite në Jemen dhe përkrahja që po ia ofron terroristëve në Jemen dhe Siri janë pengesat kryesore për përmirësimin e marrëdhënieve mes Teheranit dhe Riadit. Arabia Saudite duhet ta ndalë përkrahjen për terroristët,” ka thënë Rouhani për televizionin shtetëror.
Në shtator të vitit 2014, luftëtarët aleatë të Iranit, houthi, e morën nën kontroll kryeqytetin e Jemenit, Sana, dhe avancuan në jug drejt qytetit të dytë më të madh në vend, Aden.
Si kundërpërgjigje ndaj avancimeve të luftëtarëve houthi, një koalicion ushtarak i shteteve arabe i udhëhequr nga Arabia Saudite nisi një fushatë ushtarake në vitin 2015 për t’i mposhtur luftëtarët shiitë dhe për ta rikthyer qeverinë e Jemenit. /Express/