Presidenti nigerian Muhammadu Buhari theu të dielën një thashetheme që doli për shkak të problemeve të tij shëndetësore, që thoshte se ai ka vdekur dhe është zëvendësuar me një njeri nga Sudani që i përngjan atij, tha zëdhënësi i tij.
Buhari postoi në Twitter të dielën se iu është adresuar këtyre raporteve, gjatë një takimi me nigerianë në Poloni.
“Një nga pyetjet që më erdhi sot në takimin me nigerianët në Poloni ishte nëse jam klonuar apo jo”, tha Buhari, transmeton Gazeta Express.
“Thashethemet injorate nuk më befasojnë. Kur isha në pushim mjekësor vitin e kaluar, shumica e njerëzve shpresonin që kisha vdekur”, tha ai.
“Jam me të vërtetë unë, ju siguroj. Së shpejti do ta festoj ditëlindjen e 76’të”, tha Buhari në takimin me diasporën e Nigerisë në Poloni, aty ku ai po merr pjesë në samitin UN COP24 të klimës në Katovice.