Aktuale

Prej të martës pa rrymë e ujë – Çfarë bëri komuna e Ferizajt për banorët e saj

Ndërprerjet e shpeshta të energjisë elektrike po irriton qytetarët e Kosovës. Kjo pasi mungesa e energjisë elektrike paralizon gjithçka, e edhe më keq bëhet kur nuk ke as ujë të pijshëm. Me një situatë të tillë janë duke u përballë edhe banorët e disa fshatrave të Komunës së Ferizajt prej ditës së martë.

Erërat e forta të së martës dhe reshjet e mëdha të borës kanë shkaktuar probleme të mëdha në rajonin Ferizaj, por edhe në komuna tjera të Kosovës.

Edhe pse është në kompetencë të KEDS-it që qytetarët e Ferizajt mbetën në terr, Komuna ka kërkuar nga kompania që ta zgjidh sa më shpejt këtë problem.

Kështu ka thënë për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, Albion Sherifi – këshilltar i kryetarit të Komunës së Ferizajt, Agim Aliu.

“Ju njoftojmë se megjithëse nuk është në kompetencën e Komunës kjo çështje, por në kompaninë KEDS si pasojë e një investimi madhor që po ndodh në gjithë territorin e Ferizajt nga ana e tyre, prapëseprapë, ju bëjmë të ditur se si Komunë, kemi ushtruar vazhdimisht “presionin pozitiv” ndaj KEDS-it për zgjidhjen sa më të shpejt të kësaj çështje”, tha Sherifi për FaktePlus.

Sherifi, po ashtu tha se komuna ka ushtruar “presion pozitiv” meqë problemet e KEDS kanë ndikuar edhe në rrjetin për furnizim me ujë të pijshëm.

“Megjithatë, kjo ndikon edhe në furnizimin me ujë të pijshëm, si pasojë e rrjetit të përbashkët që shfrytëzohet”, ka treguar Sherifi.

E deri sa në ndonjë vendbanim KEDS-i ka mundur të eliminoj defektet, një pjesë e madhe e rajonit të Ferizajt po vazhdon të mbetet të terr të plotë.

Janë fshatrat Tërrn, Bablak, Babush, Surqinë, Mirash e Cërnillë, që kanë mbetur pa energji elektrike që nga dita e martë.

Banorë të këtyre fshatrave kanë shkuar në adresë të FaktePlus dhe tregojnë se telat e rrymës janë në shumë vende të këputur dhe po rrinë ashtu nëpër tokë ende, pasi ekipe të KEDS-it edhe pas tri ditësh nuk kanë ardhur të intervenojnë.

Banorët tash kanë mbetur edhe pa ujë të pijshëm, pasi në mungesë të energjisë elektrike nuk punojnë as pompat e ujësjellësit.

“Jemi pa rrymë që nga dita e martë dhe i kemi thirr me dhjetëra herë në KEDS e ju kemi treguar se telat janë këputur nga era dhe askush ende nuk ka ardhur të intervenojë. Tash po bëhen tri ditë kështu”, ka thënë një banor i Bablakut.

Ndërsa edhe një banor tjetër nga Surqina tregon janë në terr që nga dita e martë dhe tash kanë mbetur edhe pa ujë të pijshëm.

“Nga dita e martë jemi pa rrymë dhe askush nuk po vjen të rregulloj telat që kanë mbetur nëpër tokë. Tash kemi mbetur edhe pa ujë të pijshëm, pasi pompat e ujësjellësit nuk punojnë pa rrymë. Zoti na ndihmoftë”, ka thënë ky banor.

Kujtojmë se për shkak të dëmeve në rrjetin elektrik, numër i madh i fshatrave, por edhe qytete nga dita e martë kanë mbetur dhe ende janë pa rrymë.

Agjencia e Lajmeve FaktePlus ka kërkuar informacione nga KEDS, ku kjo e fundit ka pohuar se vendi gjendet në një situatë emergjente për shkak të defekteve në rrjetin e energjisë elektrike.

Zëdhënës i KEDS-it, Viktor Buzhala ka thënë se pas dëmeve që janë shkaktuar të gjitha ekipet janë të mobilizuara për të sanuar dëmet që janë shkaktuar.