Pozita e opozita si rrallë herë janë bërë bashkë në Kuvendin e Kosovës për të votuar projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes Financiare IPA 2016, pjesa e parë, e cila është nënshkruar në prill të këtij viti ndërmjet Kosovës dhe BE-së.
Me unanimitet të plotë, ligjvënësit me 98 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, ratifikuan marrëveshjen që Kosovës i sjellë 70.15 milionë euro.
Ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, tha se kjo marrëveshje financiare rregullon zbatimin e programit IPA 2016, pjesa e parë, i cili përfshin 6 projekte të cilat do të ndihmojnë përafrimin me legjislacionin e BE-së, të drejtat e komuniteteve, rritjen e konkurrueshmërisë për ndërmarrjet kosovare, si dhe përkrahjen për lidhjen më të mirë të arsimit me tregun e punës dhe politikat sociale.
“Në tërësi, programi konsiston në financimin e 45.5 milionë euro nga ana e Bashkimit Evropian për Kosovën, ndërsa shuma totale e përfshirë është 71.15 milionë euro, ku përfshihen edhe ofrimi i kredive nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim në vlerë prej 20.5 milion për operatorët privatë, si dhe një shumë bashkëfinancimi nga ana e Kosovës në vlerë prej 4.75 milion ku 2.75 milion janë nga Ministria për Kthim dhe Komunitete, 1 milion nga Ministria e Integrimit dhe 1 milion nga Ministria e Arsimit. Përfituesit inidivual të granteve do të bashkë-financojnë vlerën totale të marrëveshjes financiare në shumë prej 400 mijë ueor ”, tha Hoxha.
Mirëpo, edhe pse ishin pro kësaj marrëveshje, opozita pati edhe kritika ndaj projektligjit, por edhe mos prezencën e kryeministrit Ramush Haradinaj.
Deputeti i VV-së, Dardan Sejdiu, e quajti për keqardhje mungesën e kryeministrit në seancë për një marrëveshje kaq të rëndësishme për Kosovën.
“Vetëvendosje do ta votoj projektligjin financiare për IPA 2016, por është për keqardhje qysh kryeministri zellin që e patë dje të ishte në seancë gjatë gjithë kohës, sot për një marrëveshje kaq të rëndësishme nuk është prezent. Është gjithashtu edhe për të ardhur keq, që duhet të amendamentojmë edhe me tutje dokumentet që dalin prej Kuvendi, pra duhet të bëjmë amendamentime që të vendoset fjala Republikë”, tha Sejdiu.
Duke shprehur përkrahjen për këtë projektligj, deputeti i AAK-së Ahmet Isufi iu kundërpërgjigj kolegut të tij opozitar Dardan Sejdiu, që kritikoi kryeministrin për mos prezencën e tij në seancë.
“Po ashtu nuk është mirë të keqpërdorët vazhdimisht fjala sepse kryeministri nuk ka kohë për çdo projektligj, për çdo vendim, për çdo ngjarje kur është ministrja e Integrimeve këtu e cila e prezantoj projektligjin. Po ashtu ne kemi qenë në opozitë në të kaluarën dhe çdo marrëveshje ndërkombëtare e cila ka pasur të bëjë me interesat vitale të Kosovës i kemi përkrahur, prandaj kapricet duhet t’i ndalin dhe të veproni si opozitë që e konsideron që po çështje kapitale të veproj për”, theksoi Isufi.
Për mungesën e kryeministrit foli edhe kryesuesi i seancës Xhavit Haliti, të cilit nuk i pëlqeu mungesa e kreut të Qeverisë, por se arsyetimi i Haradinajt ka qenë që në atë kohë ka pasur takime me zyrtarët e BE-së.
“Unë mendoj që vërejtjen janë me vend të atyre që kërkojnë me qenë ministrat dhe kryeministri në sallë, por ne kemi një njoftim zyrtar që kryeministri është në një takim me qeverinë me një delegacion të huaj. Sido qoftë tani nuk ka nevojë të shtyheni me grupe për këtë çështje, por kërkesa për të qenë prezent dhe domosdoshmëria për të qenë prezent është permanente për gjithë ministrat. Ministrat që nuk vijnë në seanca dhe kur ka çështje atëherë edhe seancat nuk kanë ndonjë nivel të pranueshëm”, u shpreh Haliti.
Në këtë debat u kyç edhe shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, i cili ia kujtoi deputetit Isufi se është partia e tij që nuk ka votuar MSA-në.
“Për kujtim të zotit Isufi, partia e tij nuk e ka votuar MSA-në kur është ratifikuar këtu në Kuvend që është marrëveshja më e rëndësishme pas shpalljes së pavarësisë”, tha Hoti.
Më pas deputetët morën fjalën për të diskutuar rreth marrëveshjes, por të cilën e shfrytëzuan për të bërë fushatë zgjedhore se kah duhen investuar fondet e IPA-së. Si shkak i kësaj, kryesuesi i seancës Xhavit Haliti, kërkoi nga deputetët që të mos bëjnë fushatë sepse nuk vendos Kuvendi se kah do të investohen paratë e IPA-së.
Ndërsa, pas miratimit të këtij projektligji, ministrja e Integrimeve Evropiane Dhurata Hoxha, tha se ky rast tregoi se kur është në pyetje interesi i Kosovës mund të bëhen bashkë për të mirën e qytetarëve të saj.
Ndërsa, ndaj vërejtjeve të deputetëve për të futur në dokumentet e Kosovës me BE-në, fjalën Republikë, Hoxha theksoi se kjo mund të bëhet dhe në të ardhmen nuk do të vjen në Kuvend asnjë dokument pa fjalën Republikë.
“Sot dua të theksoj ky është një sukses i madh i bashkëpunimit në mes të Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës….Është e mundur sepse ne këtë veç e kemi bërë dhe do të thotë nuk kam qenë e njohur me këtë aspekt, por në Komisionin për Integrime Evropiane e kemi miratuar dhe tash e pas të gjitha këto marrëveshje do të jenë me fjalën Republika e Kosovës”, theksoi Hoxha.
Afati përfundimtar për hyrjen në fuqi të kësaj marrëveshjeje financiare është 31 dhjetori i këtij viti. /kp