Aktuale

Pozita dhe opozita mund të shkojnë në BE që të arsyetohen për Demarkacionin

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli dhe Komisioni parlamentar për Punë të Jashtme gjatë një takimi morën vendim që grupet parlamentare të nxjerrin një deklaratë të përbashkët, rreth procesit të liberalizimit të vizave, në veçanti për kriterin e demarkacionit, për t’i garantuar të gjitha vendet e Bashkimit Evropian se Kosova është e gatshme të përfundojë shënjimin e kufirit të saj me Malin e Zi. Në deklaratë do të bëhet e ditur se ka dallime midis forcave politike rreth mënyrës së shënjimit aktual të kufirit, shkruan Gazeta Express.

Kryetari Veseli, tha se pas hartimit dhe nënshkrimit të kësaj deklarate, do të fillojnë menjëherë një seri vizitash në vendet e BE-së, për t’i siguruar të gjitha ato shtete se Kosova i ka plotësuar kriteret që i janë vënë asaj në këtë proces, dhe se qytetarët e Kosovës meritojnë që sa më shpejt të lëvizin lirshëm në zonën Shengen.

Përfaqësuesit e opozitës, Pal Lekaj nga AAK-ja dhe Zafir Berisha nga Nisma, në takim shprehën edhe njëherë qëndrimet e tyre lidhur me versionin aktual të marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi, mirëpo theksuan përkushtimin për të qenë pjesë e deklaratës së përbashkët dhe e angazhimit në diplomacinë parlamentare, në funksion të lobimit për procese me interes për Kosovën.

Në këtë takim munguan anëtarët e Komisionit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Listës serbe.

Vlen të theksojmë se Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës (MPJ), para pak kohësh ua ka shpërndarë deputetëve dhe institucioneve relevante të vendit një dokument në të cilën thuhet se demarkacioni i kufirit me Malin e Zi të kalojë në Parlament prej datës 25-27 tetor 2016, në mënyrë që të arrihen afatet e nevojshme për liberalizimin e vizave me Bashkimin Evropian gjatë këtij viti. Në të kundërtën heqja e vizave me BE-në shtyhet për vitin tjetër.