Përplasja në mes deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu dhe prezantuesit të emisionit Rubikon, Adriatik Kelemendi filloi pasi që ky i fundit i krahasoj deputetët e partive shqiptare në Kuvendin e Kosovës me Listën Serbe dhe Rusinë.
Gjatë ditës së djeshme Kelmendi, kishte shkruar një status në llogarinë e tij në Facebook, ku kishte thënë se deputetët shqiptar të Kuvendit duhet të përcaktohen se a janë me Amerikën apo me Rusinë.
“Me qëndrimin e Listës Serbe tashmë porositë janë të qarta: 1) Amerika dhe Brukseli po na thonë votojeni demarkacionin 2) Lista Serbe – Vuçiqi – Rusia po na thonë mos e votoni. Situata brutalisht e thjeshtë: Deputetët shqiptarë të Kuvendit duhet të përcaktohen a janë për të parët apo për të dytët”, kishte shkruar Kelmendi.
Mirëpo deputetja Haxhiu këtë status të tij e ka quajtur të ulët dhe të papranueshëm.
Ndër të tjera ajo thotë se Kelemendi ka nisur një fushatë për faljen e 8 mijë hektarëve tokë Malit të Zi.
“Ka disa ditë që Adriatik Kelmendi ka nisur një fushatë dhe presion mbi deputetët e Kuvendit që të votojnë demarkacionin që i falë mbi 8200 ha, Malit të Zi. Kulmi i gjithë kësaj është kur në mënyrë të ulët mundohet të na krahasojë me Listën serbe dhe Rusinë. Fushata përbaltëse kundër nesh është e papranueshme!”, ka shkruar Albulena Haxhiu. /Insajderi.com