Aktuale

Politikanët shqiptarë vlerësojnë kontributin e Selim Muçës për bashkëjetesën fetare

Presidenti Bujar Nishani shprehu sot ngushëllimet për ndarjen nga jeta të ish-kreut të Komunitetit Mysliman Shqiptar, Haxhi Selim Muça.

“Me hidhërim të thellë mësova sot lajmin e dhimbshëm të ndarjes nga jeta të besimtarit të devotshëm e të përkushtuar, të drejtuesit të mençur, largpamës, paqedashës dhe të urtë të komunitetit të besimtarëve të fesë islame, të mikut të mirë në ditë të mira e në ditë të vështira, të prindit të mrekullueshëm, Selim Muça”, shkruan Nishani, në mesazhin e tij të ngushëllimit.

Kryetari Kuvendit, Ilir Meta, njëheraz dhe Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, shprehu hidhërimin e tij për ndarjen nga jeta të Haxhi Selim Muçës. Meta i dërgoi një telegram ngushëllimi për ndarjen nga jeta të Selim Muçës, Komunitetit Mysliman Shqiptar.

“Me hidhërim të thellë mësova për lajmin e ndarjes nga jeta të Haxhi Selim Muçës. Haxhi Selim Muça ishte një nga pionierët që punuan fort‎ e me përkushtim për ringritjen e besimit mysliman në Shqipëri. Duke nisur që nga fillimet e viteve ‘90, duke vazhduar me detyrat e ndryshme që ka mbajtur në strukturën e komunitetit mysliman e deri në Kryesinë e tij si kryetar, Haxhi Selim Muça ka qenë një shembull për t’u kujtuar, i punës, i fjalës dhe i besimit”, thuhet në mesazhin e ngushëllimit.

Kryeministri Edi Rama shprehu ngushëllimet të dielën për ndarjen nga jeta të Selim Muçës, i cili sipas tij, “e udhëhoqi për shumë vite Komunitetin Musliman Shqiptar, me urtësinë e kthjelltësinë e një lideri të butë por të vendosur, në mbrojtjen e esencës paqësore të porosive të Profetit dhe të thesarit të bashkëjetesës harmonike mes feve në Shqipëri”.

“E paç siç e ke ëndërruar udhëtimin pas ndarjes nga kjo botë, miku im i respektuar Selim Muça”, shkruan Kryeministri, në një postim në rrjetet sociale.

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha u shpreh se “ndarja nga jeta e ish- kryetarit te Komunitetit Mysliman të Shqipërisë Selim Muça është një lajm i hidhur për të gjithë”.