Policia turke sot e arrestoi kryeredaktorin e gazetës opozitare “Cumhuriyet”, ndërkaq kreu edhe bastisje në shtëpitë e disa shefave dhe redaktorëve të medias, kumtoi CNN-Turk.
Janë dhënë edhe urdhra për arrestimin e gjithsej 13 gazetarëve të gazetës.
Tani për tani nuk kumtohet shkaku për arrestimin e kryeredaktorit dhe për bastisjet, por kjo ndodh në momentin kur Turqia po ndërmerr masa kundër ithtarëve të imamit Fetullah Gjylen.
Kryeredaktori i mëparshëm i “Cumhuriyriet”, Xhan Dundar u dënua së bashku me kolegun e vet Erdem Gjyl me pesë vite burg, pasi që të dy u shpallën fajtorë për shkak të zbulimit të sekreteve shtetërore. Aktakuzat kishin të bënin me tekste të publikuara vitin e kaluar për gjoja dërgesa të armëve nga Turqia për kryengritës islamistë në Siri.
Gjatë fundjavës autoritetet turke mbyllën 15 media, ndërsa me dy dekrete të reja janë larguar nga puna rreth 100.000 nëpunës shtetërorë dhe pjesëtarë të forcave të sigurisë.





















