Policia e Kosovës kanë dhënë detaje për ndalimin që i është bërë një autobusi dhe një makine me targa të Serbisë të cilët kanë provuar që të futen në territorin e Republikës së Kosovës përmes pikës kufitare në Jarinje sot gjatë ditës.
Ky vendim i policisë është marrë pasi që as personat e ndodhur ne makinën e tipit ‘Audi’ me targa ‘BG’, dhe as autobusi me basketbollistë të klubit të Partizanit, nuk kanë poseduar leje për të hyrë në territorin e Republikës së Kosovës.
Pas kësaj ndalese ata janë detyruara që të kthehen në drejtim të Serbisë.
“Policia e Kosovës, në pikë kalimin kufitar Jarinje, sot rreth orës 11:40/45 ia ka refuzuar hyrjen një veture me targa “BG”, në të cilën gjendeshin një zyrtar dhe tre persona të tjerë, si dhe një autobusi po ashtu me targa “BG”, i cili kishte ardhur nga Serbia në drejtim të Republikës së Kosovës (RKS).Personit zyrtar dhe shoqërueseve të tij me veturën Audi me targa “BG”, iu është refuzuar hyrja në Republikën e Kosovës, pasi që të njëjtit nuk kanë poseduar leje për hyrje nga Ministria e Punëve të Jashtme e RKS-së”, thuhet në njoftim.
“Po ashtu autobusi i cili kishte ardhur nga Serbia në drejtim të RKS-së, në të cilin kanë qenë klubi i basketbollit “Partizani i Beogradit”, iu është refuzuar hyrja pasi të njëjtit nuk kanë poseduar leje për hyrje nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (Federata e basketbollit të RKS-së).Pas sqarimeve dhe informacioneve zyrtare që iu janë dhënë, të njëjtit janë kthyer në drejtim të Serbisë”, vazhdon komunikata.
Gazeta Express më herët ka raportuar se basketbollistët e klubit të Partizanit ishin nisur për të marrë pjesë në protestën kundër taksës në veri të Kosovës./GazetaExpress/