Një grabitje e armatosur ndodhi dje në komunën e Shtimes, me ç’rast pronari i shtëpisë është plagosur, kurse njëri nga grabitësit mbeti i vdekur. E sot Policia e Kosovës ka treguar se çka është gjetur pas hetimeve që janë kryer në vendin e ngjarjes.
Në raportin e sotëm të policisë thuhet se vrasja e rëndë në Shtime erdhi pasi katër persona të panjohur e të armatosur kanë hyrë në shtëpinë e një qytetari, ku edhe kanë vjedh para të gatshme.
“Raportohet se katër persona të panjohur të armatosur kanë hyrë në shtëpinë e të dyshuarit mashkull K-Shqiptar ku i kanë vjedh para të gatshme. Njëri nga personat e panjohur, mashkull K/Shqiptar është hasur dhe në përleshje e sipër ka pësuar lëndime me ç’ rast ka vdekur. Ndërsa i plagosuri ka pranuar tretman mjekësor”, thuhet në raport.
Policia e Kosovës ka treguar edhe çka është gjetur pas hetimeve që janë bërë në vendin e ngjarjes.
“Në vendngjarje janë gjetur dhe konfiskuar: një revole e kalibrit 7.65mm, tri gëzhoja dhe një plumb i pa shkrepur, një maskë dhe dy thika”, bëri të ditur policia.
Kujtojmë se me vendim të prokurorit dy vëllezërit e pronarit të shtëpisë që mbeti i plagosur nga hajnat, janë dërguar në mbajtje dhe sot po kërkohet paraburgimi i tyre nga Prokuroria.
Ndërsa trupi i pa jetë i njërit nga grabitësit tashmë është në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
E ky person që humbi jetën po dyshohet se është djali i një zyrtari të Policisë së Kosovës. Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë Bajram Krasniqi.
“Në bazë të informacioneve/verifikimeve të deritanishme dyshohet se personi në fjalë është djali i një zyrtari policor. Policia e Kosovës është duke punuar intensivisht në hetimin dhe zbardhjen e këtij rasti”, ka thënë Krasniqi.
E gjithë kjo ngjarje nisi kur katër persona të maskuar e të armatosur rreth orës 3:30 të mëngjesit të së mërkurës ai kishin mësyrë për të kryer një grabitje në një shtëpi në një paralagje të Shtimes, respektivisht në fshatin Godanc.