Në rrethana të dyshimta është djegur shtëpia e Valbona Markut, e cila ishte vrarë kohë më parë nga bashkëshorti i saj, Pjetër Nrecaj.
Një zjarr i madh kishte kapluar këtë shtëpi mbrëmjen e djeshme, teksa lajmin për këtë e kishte dhënë vëllau i viktimës, Kujtim Marku, shkruan lajmi.net.
Edhe nga Policia e Kosovës mbrëmë e kishin konfirmuar rastin, ndërsa kishin bërë të ditur se zjarri ka ndodhur rreth orës 21:20.
“Në ora 21:20 të datës 23.05.2019 Stacioni policor në Gjakovë ka marrë informacion se është duke u djegur shtëpia e braktisur ku kanë banuar më parë familja e Valbona Marku Ndrecaj. Të gjitha njësitë relevante kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe zjarri është lokalizuar shumë shpejtë”, kishin thënë mbrëmë nga Policia e Kosovës.
E në lidhje me rastin nuk ka ende asnjë të dyshuar.
Lajmi.net ka kontaktuar sot me zëdhënësin e Policisë së Gjakovës, Krist Gjokaj, i cili ka thënë se nuk ka ndonjë të dyshuar për zjarrvënien.
Ai po ashtu ka bërë të ditur se ende është duke u punuar në hetimet mbi rastin.
“Për momentin nuk ka asnjë të dyshuar. Është duke u punuar ende me hetimet rreth rastit”, ka thënë Gjokaj.
Valbona Marku – Ndrecaj, ishte vrarë vitin e kaluar nga bashkëshorti i saj, Pjetër Nrecaj, pas një konflikti familjar.
E vdekur kishte mbetur edhe vajza e tyre, teksa Gjykata i ka shqiptuar denim me burg të përjetshëm Pjetër Nrecajt për vrasjen e dyfishtë. /Lajmi.net/