Aktuale

Policia: Siguria në nivel pavarësisht shtatë arrestimeve për terrorizëm

Shtatë të arrestuarit nën dyshimin për përfshirje në vepra terroriste nuk kanë ndikim në situatën e sigurisë në Kosovë. Zyrtarët e Policisë së Kosovës kanë thënë se rastet e tilla nuk duhet të shihen me shqetësim.

Policia e Kosovës ka arrestuar sot, shtatë persona, nën dyshimin se janë përfshirë në vepra terroriste dhe kundër rendit Kushtetues të Kosovës.

Aksioni është ndërmarrë nga Forcat e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës.

Megjithëkëtë, Zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani thotë se s’duhet të ketë shqetësim për situatën e sigurisë në Shtet,

“Personat e arrestuar tani janë në organet e drejtësisë. Kosova konsiderohet se është një vend stabil, i qetë, por kuptohet nganjëherë me disa incidente që ndodhin, mirëpo mund të themi se nuk ka asnjë indikacion për shqetësim apo për ndonjë rrezik potencial të mundshëm”, tha Kelani, për REL.