Zyrtarë të Policisë së Kosovës kanë vizituar sot Shoqatën e Prindërve me Fëmijë me Autizëm dhe atë me Sindromë Down, me ç’rast kanë shpërndarë dhurata për fëmijët e këtyre shoqatave.
Këto aktivitete të Policisë u mbajtën në kuadër të projektit “Urime 2020”. Për ta bërë më atraktive atmosferën, zyrtarët e PK-së pos dhuratave, zhvilluan edhe biseda relaksuese me fëmijët me Sindromën Down. Shumë prej tyre, të cilët u përgjigjën në pyetjet e policëve, shprehën dëshirën që në të ardhmen ta veshin uniformën e Policisë së Kosovës, respektivisht të shërbejnë në këtë institucion.
Ndërkohë, derisa foli pas aktiviteteve të sotme, Drejtoresha e Shoqatës së Prindërve me Fëmijë me Autizëm, Violeta Hyseni, tha se PK-ja i ka informuar fëmijët rreth rregullave kryesore të trafikut. Hyseni me këtë rast, njoftoi se Policia e Kosovës ka shpërndarë gjithsej 30 dhurata për fëmijët e kësaj shoqate.
Ndonëse fëmijët autikë në fillim qenë më të ngurtë, pas pranimit të dhuratave ata, sipas Hysenit, u gëzuan shumë me aktivitetin e sotëm.
“E pashë që ajo pjesa e ligjëratave nuk ishte aq atraktive për fëmijët, mirëpo duke i parë dhuratat e pashë buzëqeshjen e tyre në fytyrë”, deklaroi ajo.
Tutje Drejtoresha e Shoqatës së Prindërve me Fëmijë me Autizëm iu bëri thirrje prindërve që të mos i rrisin fëmijët me idenë se policët janë vetëm për të dënuar.
“Ne si organizatë jemi të hapur për bashkëpunim, sidomos me Policinë e Kosovës. Kur i shohin policët me uniformë fëmijët e kanë atë fobinë që policia veç dënon, e realiteti është krejt ndryshe. Prindërit i kisha lutur që të mos i frikojnë, por t’ua mbjellin në kokë që policia është për sigurinë tonë”, theksoi Violeta Hyseni.