Policia e Kosovës ka mbajtur sot një ceremoni përmbyllëse për vitin që shkoi, vit ky të cilin krerët e Policisë dhe MPB-së e kanë vlerësuar si të suksesshëm sa i përket rolit të këtij institucioni.
Me këtë rast janë ndarë mirënjohje për disa nga pjesëtarët e Policisë si dhe përfaqësuesit e mediave.
Ministri i Punëve të Brendshme Skënder Hyseni, tha se nëse bëhet një krahasim i të arriturave dhe dështimeve në Polici, dominon e para për çka ka shprehur mirënjohje për të gjithë pjesëtarët të Policisë.
“Bëjmë një rekapitullim të të arriturave por në të njëjtën kohë edhe bëjmë një rekapitullim të ndonjë lëshimi, ndonjë mangësie që mund të na ketë përcjellë gjatë punës sonë të përditshme dhe nëse i vejmë në baraspeshë këto të dyja PK absolutisht dominon suksesi, policinë e Kosovës e shquan puna e shkëlqyer që e ka bërë gjatë vitit, e shquan gatishmëria për të qenë gardian i përsosur i rendit, i ligjit, e shquan gatishmëria për ta mbrojtur shtetin dhe institucionet e shtetit dhe ky është mision madhor të cilin PK e ka përmbushur edh gjatë këtij viti, prandaj unë ju [përgëzoj, ju përgëzoj përzemërsisht dhe ju ftoj që të qëndroni në këtë kurs sepse shtetin është lehtë me e bë krahasuar me vështirësinë për ta mbajtur dhe ruajtur dhe ne aktualisht përballemi me sfidën e mbrojtjes së shtetit”, tha Hyseni.
Sipas tij Policia ka bërë që në Kosovë të dominojë ligji dhe askush mbi ligjin.
Ndërsa drejtori i përgjithshëm i Policisë Shpend Maxhuni, tha se Policia gjatë kësaj kohe ka pas edhe sfida, me të cilat janë përballur ata si rreziqe por edhe humbje jete në detyrë.
“Policia është duke u vlerësuar si një ndër institucionet më kredibile në vend, falë punës dhe përkushtimit të të gjithë pjesëtarëve të saj, prandaj jemi shumë të kënaqur që edhe në këtë vit kemi arritur t’i mbaj ritmin e rezultateve ndërsa në disa fusha kemi shënuar edhe progres dhe suksese invente. Me të vërtetë ndjehemi krenar sepse e kemi fatin të punojmë me një profesion kaq fisnik dhe është nder për secilin zyrtar policor të shërbej në mbrojtjen e sigurisë dhe rendit për shtetin tonë. Ne jemi gjithashtu të vetëdijshëm se detyra jonë ka përgjegjësi dhe mbi të gjitha dhe sakrificë. Policia i është besuar një mision që po ashtu bart rreziqe në vete, zyrtarët policor sfidohen çdo ditë në teren dhe secili nga ne e di se sa e dhimbshme është kur kolegët tanë lëndohen apo edhe më keq humbin jetën gjatë kryerjes së detyrës. Prandaj ne asnjëherë nuk do t’i harrojmë të gjithë zyrtarët e rënë në detyrë dhe të vazhdojmë fuqishëm rrugën e tyre”, u shpreh Maxhuni.
Në fund ministri Hyseni, drejtori i Përgjithshëm i Policisë Shpend Maxhuni dhe kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi kanë ndarë mirënjohje për një numër të pjesëtarëve të Policisë si polic i dalluar, letër falënderimi etj./KP