Policia në rajonin e Mitrovicës ka dhënë detaje rreth kanosjes së hoxhës së Zhabarit nga një grua 28 vjeçare.
Fillimisht hoxha ka raportuar rastin në polici duke thënë se ajo gjuajti edhe me armë gjatë kanosjes.
“Sipas deklarimit të viktimës, bëhet e ditur se ai ishte kanosur nga e dyshuara femër, e cila në kanosje kishte përdorur edhe armën, ku në vendin e ngjarjes nga hetuesit policorë është gjetur dhe është konfiskuar një gëzhojë”.
Ndërsa sipas policisë nga veprimet tjera hetimore më vonë ka rezultuar që të identifikohet dhe të arrestohet e dyshuara S. T., 28 vjeçare, nga e cila është sekuestruar një armë e llojit pistoletë e cila dyshohet të jetë përdorur në veprën penale.
“Bazuar në deklaratën e ankuesit dhe elementeve tjera rrethanore, përfshirë edhe provat materiale, janë ndërmarrë hetime të nevojshme policore, të cilat i janë paraqitur prokurorit të rastit, ku është sugjeruar që rasti të iniciohet dhe të hetohet si vepër penale ‘kanosje’ dhe ‘përdorim i armës’”.
Pas procedurave intervistuese, me urdhër të prokurorit të rastit, të dyshuarës i është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë.
Dje është raportuar se hoxha i Mitrovicës është kërcënuar me armë nga gruaja me të cilën ishte në lidhje jashtëmartesore.