Njësitet hetuese të Policisë së Kosovës kanë arritur që të arrestojnë një grup prej katër personave që dyshohet se së paku në shtatë raste kanë kryer vjedhje të ndryshme në disa shtëpi.
Pas hetimeve intensive, hetuesit policor të Stacionit policor -Ferizaj, kanë arritur që të identifikojnë katër persona të dyshuar për kryerjen e shtatë veprave penale vjedhje e rëndë, raste të ndodhura gjatë muajit janar 2020 në fshatrat Balaj dhe Neredime të Komunës së Ferizajt.
Hetuesit policor gjatë zhvillimit të procedurës hetimore, kanë siguruar prova të mjaftueshme lidhur me kryerjen e këtyre veprave penale.
Të dyshuarit, L.G. (m/sh/k 19 vjeç), E.R. (m/sh/k 21 vjeç), F.SH. (m/sh/k 20 vjeç ) dhe një person i mitur, në bashkëveprim, me forcë kanë depërtuar në shtëpitë dhe lokalet e viktimave duke vjedhur mjete të ndryshme pune, amvisërie, një pushkë gjuetie etj.
Gjatë hetimeve janë gjetur dhe konfiskuar sendet e vjedhura, të cilat pas përfundimit të procedurave ligjore ,do të ju kthehen pronarëve.
Gjatë intervistimit dhe në prani të avokatëve mbrojtës, të dyshuarit kanë pranuar në tërësi veprat e kryera.
Ndaj tre të dyshuarve, në konsultim me prokurorin e shtetit është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, ndërsa i dyshuari i mitur është liruar në procedurë të rregullt./FaktePlus