Aktuale

Policia jep detaje për aksidentin tragjik në Pejë

Në orët e hershme të mëngjesit të sotëm në fshatin Vitomiricë të Pejës ka ndodhur një aksident trafiku ku për pasojë të vdekur kanë mbetur tre persona dhe një tjetër që ka mbetur i lënduar.
Bëhet fjalë për një djalë 25 vjeçar të komunitetit egjiptian, E.H si dhe dy gra, M.B. dhe Xh. H. po nga ky komunitet që kanë ndërruar jetë, njofton policia.

“Dy pasagjerët kanë arritur pa shenja jete në Spitalin Rajonal, kurse viktima e tretë ka ndërruar jetë në QKUK në Prishtinë. Vdekjen e tyre e ka konstatuar ekipi mjekësor. Në këtë aksident lëndime ka pësuar edhe një person E.H. egjiptian, i cili nga vendi i ngjarjes është dërguar në spitalin rajonal në Pejë, për trajtim mjekësor”, thuhet në kumtesë.

“Lidhur me aksidentin është njoftuar prokurori i shtetit, i cili ka marrë pjesë në vendin e ngjarjes dhe me urdhrin e tij trupat e viktimave u janë lejuar familjarëve për ceremoni mortore”.

“Sipas të dhënave preliminare dyshohet se aksidenti ka ndodhur derisa ngasësi i veturës ishte duke qarkulluar nga Peja në drejtim të Vitomiricës dhe me të arritur në lagjen Fidanishte duke mos iu përshtatur kushteve të rrugës si dhe shpejtësisë tenton të shkyçet nga rruga kryesore për të hyrë në një rrugë anësore në anën e djathtë. I njëjti për shkak të shpejtësisë nuk mund të bëjë kthimin e sigurt me ç’rast me pjesën ballore përplaset me një mur”.