Aktuale

Policia ishte njoftuar nga një qytetar për arrestimin e Nehat Thaçit

Ndonëse ka qenë i ftuar për raportim, drejtori i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, nuk ka marrë pjesë në mbledhjen e Komisionit për Punë të Brendshme të Kuvendit të Kosovës.

Në vend të tij, zëvendësdrejtori Naim Rexha ka raportuar rreth arrestimit të drejtorit të Policisë për rajonin e Mitrovicës Nehat Thaçit, nga autoritetet e Serbisë. Ai ka deklaruar se Policia së bashku me ministrin e Punëve të Brendshme dhe Qeverinë e Kosovës, po angazhohet për lirimin e Thaçit, nga paraburgimi prej 30 ditësh dhe i cili gjendet në burgun e Nishit, raporton KosovaPress.

Sipas Rexhes, autoritet serbe për arrestimin e Thaçit kanë kontakte me UNMIK-un, por jo edhe me Policinë e Kosovës. Sipas dëshmitarëve të rastit, ai tha se Thaçi është ndaluar në kufi rreth orës 20:00, të datës 28 shtator, në atë kohë Thaçi ka qenë në pushim pesëditor, të autorizuar nga Policia.  Thaçi kishte planifikuar të vizitonte të afërmit e tij në Gjermani dhe Zvicër, duke kaluar transit nëpër Serbi.

Rexha ka deklaruar se fletë-arresti për Thaçin nga ana e Serbisë, është lëshuar në vitin 2010, ndërsa kjo ka qenë hera e parë që ai ka kaluar nëpër Serbi.

 

“Tashmë, çështja në fjalë mund të them  kaherë, për arsye se ka kaluar një periudhë kohore, ka kaluar në nivel të organeve shtetërore, për arsye se në të njëjtin moment me të pranuar informacionin Policia e Kosovës e ka informuar Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Ministrinë e Drejtësisë për rastin që ka ndodhë dhe pastaj në nivel qeveritar kanë vazhdua angazhime të tjera, për të cilat unë kam informacionin e fundit edhe gjatë bisedës të djeshme me ministrinë e Punëve të Brendshme, për angazhimin e tij personal edhe tek ministri i Punëve të Brendshme i Republikës së Austrisë, pastaj kërkesës së organeve të EULX-it, e deri te organet e institucioneve të Bashkimit Evropian, për të ndikuar që kjo çështje të përmbyllet, me qëllimin e vetëm të lirimit të nënkolonelit Nehat Thaçit nga masa e paraburgimit”, tha Rexha.

Nga ana tjetër, anëtarët e Komisionit, kanë kërkuar të din çdo detaj rreth arrestimit të Thaçit. Kryetari i këtij komisioni, Daut Haradinaj, i ka thënë zëvendësdrejtorit të Policisë, se polica me këtë rast nuk do të duhej të bënte politikë. Madje sipas Haradinaj, policia është ajo e cila duhet vetëm të respektojë ligjin.

 

“Ne kërkojmë përgjegjësi, policia nuk guxon me dhënë deklarata politike, se nuk ka nevojë mu përzier në politik . Kënd e arrestoni , kënd e akuzoni ju e keni ligjin, atij i përgjigjeni. Kur e kam parë deklaratën, është deklarata qesharake, arrestojmë edhe komandantet ju a duheni me bërë politikë a jeni me kryer detyrën. Ju e keni ligjin, qytetarët janë të barabarte”,  tha Haradinaj.

Ndërsa, Daut Dermaki, anëtar i Komisionit për Parlamentar për Punë të Brendshme, ka dashur të di nëse Thaçi edhe herëve të tjera e ka kaluar kufirin e Serbisë dhe se a ka qenë për këtë në dijeni shefi i tij.

 

“Kemi nevojë që të jemi sa më të informuar për rastin e arrestimit të kolonelit Nehat Thaçit… Sa keni informacion se Serbia, konkretisht Ministria e Punëve të Brendshme në raport me Kosovën, a i zbaton këto parime të përgjithshme… Është me rëndësi të jemi më të informuar, se a janë të obliguar oficerët e Policisë së Kosovës që edhe në kohën e pushimit kur të udhëtojnë jashtë vendit që t’i informojnë eproret  tyre për vendin se ku gjendet ai dhe të marrin ndonjë informacion se çdoherë mund të lind një situatë e jashtëzakonshme dhe nevoja është e detyrueshme nga institucionet e sigurisë, e në këtë rast Policisë që është numër një për çdo situatë të papritur, që të di se ku i ka udhëheqësit e saj… A e ka ditur Policia e Kosovës sa herë e ka kaluar kufirin Nehat Thaçi”, tha Demaku.

Kurse Rexhep Selimi, anëtar i Komisionit, ka thënë se komunikimi mes UNMIK-ut për  të arrestuarin kosovar do të thotë shumë për raportet mes Kosovës dhe Serbisë.

 

“A ka pasur njoftim zyrtar nga Policia e Republikës së Serbisë ndaj institucioneve të Kosovës për arrestimin. Ju thatë se nuk ka pasur njoftim zyrtar dhe ata paskan njoftuar UNMIK-un. Kjo besoj do të thotë goxha shumë për raportet e Kosovës me Serbinë. Kjo do të thotë goxha shumë edhe për të ashtuquajturin normalizim i marrëdhënieve me Serbinë. Por sidoqoftë, përgjigjen e mora gjatë fjalës suaj. Me atë çfarë ju thatë sot, për herë të parë dëgjova që informacionin e parë ju e keni marrë nga një qytetar, nga një kalimtar që vinte nga Serbia dhe futej në Kosovë. Tash vije pyetja, ku është menaxhimi i përbashkët i kufijve e nënshkruar si marrëveshje. Sikur të ishte funksional menaxhimi i përbashkët i kufijve, IBM i ashtuquajtur, nuk do të kishte nevojë të informohesh nga një qytetar, por do të informohesh nga Policia e Kosovës, që është arrestuar një pjesëtar i saj. Tash vjen në shprehje se sa është propagandua r për këtë marrëveshje të IBM me Serbinë dhe sa është funksional”, tha ai.

Ganimete Musliu , anëtare e këtij Komisioni, po ashtu ka dashur të di se a ka Policia e Kosovës listë të serbëve që  kanë bërë krime në Kosovë.

 

“A ka policia e Kosovës një listë me emra të atyre që kanë bërë krime në Kosovë, thjesht sepse jemi dëshmitar se ata jo rrallë e kalojnë kufirin e Kosovës pa asnjë pengesë dhe ndodh pastaj të denoncohen nga qytetarët, që i njohin me emër dhe mbiemër ata kriminel që kanë kryer krime në Kosovë. I arreston Policia dhe i liron brenda një procedurë shumë të shkurtër. Unë e di që Policia nuk e bënë gjyqin, e bënë dikush tjetër. Por megjithatë a ka Policia e Kosovës një listë me emra të atyre që tashmë dihet botërisht që kanë bërë krime në Kosovë?”, pyeti ajo.

Në përgjigjen e tij, zëvendëskomandanti i Policisë, Rexha ka thënë se për Thaçin, Serbia ka lëshuar fletë arrest në vitin 2010.

 

“Sipas dëshmitarëve të rastit, Thaçi është ndaluar në kufi rreth orës 20 të datës 28 shtator, në atë kohë Thaçi ka qenë në pushim 5 ditë të autorizuar nga Policia. Thaçi kishte planifikuar të vizitojë të afërmit e tij ne Gjermani dhe Zvicër, duke kaluar transit nëpër Serbi. Sipas kontrollit tonë që kemi, as një herë Thaçi më parë nuk ka kaluar nëpër Serbi, pra është hera e parë. Në 2010 Serbia kishte lëshuar flet arrestim për Thaçin. Thaçi nuk ka qenë as një herë i figuruar në listë të të arrestuarve. Policia angazhohet edhe më tej për lirimin e Nehat Thaçit nga paraburgimi “, tha Rexha.

Ndryshe, kjo është hera e parë që në Komisionin për Punë të Brendshme, Policia  raporton për arrestimin e kolonel Nehat Thaçit nga autoritetet e Serbisë. Ndërsa Kuvendi i Kosovës ka mbajtur një seancë për arrestimin e tij, ku përmes një rezolute ka dënuar arrestimin e Thaçit dhe ka kërkuar lirimin e tij, njofton KosovaPress.