Edhe në Kosovë shënohet dita ndërkombëtare e të drejtave të fëmijëve
Në ditën ndërkombëtare të të drejtave të fëmijëve, Policia e Kosovës ka organizuar një mori aktivitetesh për fëmijët e Kosovës, duke filluar nga parakalimi i njësive policore, lexim nga fëmijët, valle nga fëmijët, bashkëbisedim me maskota të Shrek, Spiderman, Batman, Finger dhe Masha, e deri tek përmbyllja që u shoqërua me fotografim dhe bashkëbisedim i fëmijëve me njësitet policore.
Nga Policia e Kosovës, Major Mentor Cakolli, u tha fëmijëve se këtë aktivitet e kanë organizuar për të ju treguar se sa të përkushtuar janë në mbrojtjen, promovimin dhe respektimin e të drejtave të fëmijëve.
Ndërsa, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, para fëmijëve tha se ky aktivitet i Policisë së Kosovës tregon se sa janë të përkushtuar në kujdesin ndaj të gjithë qytetarëve, por edhe në veçanti ndaj kujdesit të fëmijëve.
Kelani tha se janë në dijeni se një numër i fëmijëve shfrytëzohen për të kërkuar lëmoshë, por që tha se do të punojnë që edhe ata fëmijë të kthehen në bankat shkollore.
Ai tha se këtë aktivitet Policia e Kosovës e ka organizuar për ti treguar fëmijëve se Policia e Kosovës është 24 orë në shërbimin e tyre.
E para fëmijëve Policia e Kosovës bëri parakalim të fëmijëve të cilët i quajtën Policia e ardhshme e Kosovës, biciklistët e Policisë, njësia speciale, njësia e rendit dhe njësia e motoristëve. E fëmijët të cilët ishin në numër shumë të madh shprehen interesim për të bashkëbiseduar me njësitë e ndryshme të Policisë së Kosovës.
Lekë Zeqolli, pjesëmarrës në këtë aktivitet, tha se pjesa që më së shumti i pëlqeu në këtë aktivitet ishte kur fëmijët treguan se cilat janë të drejtat e tyre.
Kurse, Alhena Rexhepi, tha se dëshira e saj është që fëmijët të mos përdorin shumë rrjetet sociale dhe të jenë më të sjellshëm.
Ndërsa, Elba Haxhiu, në këtë aktivitet tha se më së shumti i pëlqeu pjesa e baletit.
I gjithë ky aktivitet i Policisë së Kosovës është bërë në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve./