Drejtori i të ashtuquajturës Zyre Serbe për Kosovën, Marko Gjuriq ka paralajmëruar që sot do të qëndrojë në Kosovë.
Nga kjo zyrë kanë bërë të ditur se Gjuriq do të marrë pjesë sot në shënimin e një feste të qytetit e njohur si Shën Dimitrije ose “Mitrovdani”.Njoftohet se ai do të marrë pjesë në lutjen që do të zhvillohet nëpër qytet dhe pastaj do të jetë pjesë e prerjes së tortës në sheshin “Sumadija”, shkruan FaktePlus.
FaktePlus ka kontaktuar edhe zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të cilët nuk kanë dhënë asnjë informacion rreth kësaj çështje.
Madje, ata nuk kanë treguar nëse Gjuriq ka marrë leje nga institucionet e Kosovës për të hyrë në vend.
Për këtë çështje FaktePlus ka kërkuar përgjigje edhe në Policinë e Kosovës, se a janë në dijeni që Gjuriq do të vijë sot në Kosovë.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani ka thënë se lidhur me këtë çështje duhet të iu referohemi autoriteteve kompetente.
“Referoju autoritetit kompetent që lëshon leje për hyrjen në Republikën e Kosovës”, ka thënë shkurt Kelani.
Gjuriq është takuar dje në Beograd me Listën Serbe, nga ku u tha se duhet të këmbëngulin për të qenë pjesë e Qeverisë së Kosovës.
Në takimin e djeshëm me përfaqësuesit e Listës Serbe është shpalosur edhe opsioni që ata t’i braktisin të gjitha institucionet e Kosovës./FaktePlus