Policia e Kosovës ka bërë me dije se Drejtoria Kundër Terrorizmit në koordinim me Agjencionin Kosovar të Inteligjencës (AKI), si dhe në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale të RKS-së, ka arritur që të paranalojë sulme terroriste të planifikuar që të ndodhin në Kosovë gjatë këtyre ditëve të fundit.
Bazuar në provat e siguruara, sipas PK-së M.L., dyshohet se ka dhënë udhëzime në përgatitjen dhe kryerjen e sulmeve terroriste në rajonin e Ballkanit, raporton GazetaBlic.com.
“Duke pasur parasysh se institucionet e Sigurisë në vazhdimësi monitorojnë dhe trajtojnë personat që shfaqin elemente ekstremiste, kanë kuptuar se persona të caktuar ishin në kontakt me të dyshuarin L. M., nga i cili merrnin udhëzime në përgatitjen dhe kryerjen e sulmeve terroriste në rajonin e Ballkanit“, ka thënë PK, në një komunikatë për media.
Një sulm terrorist sipas PK-së ka qenë i planifikuar edhe ndaj përfaqësueses së Izraelit, e cila ka luajtur kundër Shqipërisë, të shtunën e kaluar.
“Pas një monitorimi dhe hetimi për një periudhë të gjatë kohore, ku janë përdorur të gjitha masat e specializuara të fshehta të hetimit, është arritur të sigurohen prova të mjaftueshme ku personat e caktuar ishin në planifikim të kryerjes së akteve terroriste në Republikën e Kosovës si dhe ndaj përfaqësueses së Izraelit në futboll, fansave tyre që pritej merrnin pjesë gjatë ndeshjes futbollistike Shqipëri-Izreal.
Gjatë hetimeve policia ka kuptuar se këta persona të dyshuar kanë qenë të ndarë në grupe të ndryshme dhe të koordinuar nga terroristi L. M., nga i cili kanë marrë udhëzime.
Këto grupe kanë vepruar të ndara, por që në koordinim me L. M. dhe R. H. të cilët gjenden në Siri përkrah ISIS-it, kanë pasur objektiva të qartë se kush dhe kur duhet të sulmohet“, thuhet në njoftim.
Sipas PK-së brenda 12 ditëve janë arrestuar 19 persona si të dyshuar për organizim të sulmeve terroriste, prej tyre 18 nga Kosova 1 nga Maqedonia.
“Nga data 04.11.2016 dhe deri më sot janë arrestuar (19) persona të dyshuar, ku (18) prej tyre shtetas të Republikës së Kosovës dhe një shtetas i Republikës së Maqedonisë.
Me vendim të prokurorit kompetent (18) personave të dyshuar iu është caktuar masa e paraburgimit prej (30) ditëve, ndërsa njeri prej tyre është liruar në procedurë të rregullt pas ndalimit prej 48 orëve“, thuhet më tej në njoftim.
Gjatë realizimit të këtyre operacioneve policore në cilësinë e provave materiale janë konfiskuar:
281 gr eksploziv i llojit TATP, që vlerësohet si një ndër eksplozivet më të rrezikshëm dhe më të ndjeshëm,
Rreth 2.5 kg substancë e përzier me lëndë shpërthyese në gjendje të kristaltë,
Një pushkë gjysmë automatike e kalibrit 7.62 mm,
Një pushkë gjuetie,
Një revole me gas,
Municion, 719 fishek të kalibrave të ndryshëm,
Një dron,
Radiolidhje,
Telefona celular,
Lap Topa,
Shtëpiza kompjuteri,
USB,Materiale dhe literaturë fetare nga autorë të njohur për ideologjinë e tyre ekstremiste.
“Kosova si pjesë e koalicionit ndërkombëtarë kundër ISIL (ISIS), për këtë rast ka bashkëpunuar edhe me autoritetet nga shtetet e rajonit si, Shqipërinë dhe Maqedoninë, vende këto në të cilat po ashtu ka pasur arrestime të personave të dyshuar.
Policia e Kosovës në bashkëpunim të plotë edhe me institucionet tjera relevante brenda dhe jashtë Kosovës, mbetet e përkushtuar që në vazhdimësi të ndërmarrë veprimet e saja ligjore për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike në vend”, thuhet në fund të këtij njoftimi. /GazetaBlic.com/