Policia e Kosovës që nga sot deri më 31 gusht do të patrullojnë së bashku me policinë e Shqipërisë, kjo për qëllim të rritjes së efikasitetit të luftës ndaj humbjes së jetëve njerëzore në aksidentet rrugore dhe zbatimin me rigorozitet të legjislacionit rrugor, për krijimin e një ambienti më të sigurt për të gjithë qytetarët dhe përdoruesit e rrugës që qarkullojnë në akset rrugore që lidhin dy vendet.
Në konferencën e përbashkët për medie që u mbajt në pikën e kalimit kufitar në Vërmicë, Nexhmi Krasniqi, drejtor stacionin i policës në Prizren, tha se kjo marrëveshje për kontrolle ka për synim sigurinë në komunikacion dhe për sigurinë e pronave. Ai porositi mërgimtarët që të mos krijojnë tollovi dhe mos t’i shkelin rregullat e komunikacionit duke shkaktuar aksidente.
“Kontrollet e përbashkëta janë për sigurinë e jetëve të njerëzve, për sigurinë e pronave dhe unë nuk dëshiroj që mërgimtarët tanë të krijojnë tollovi, të bëjnë shkelje në territorin e Shqipërisë dhe të ketë aksidente të trafikut”, tha Krasniqi.
Koloneli Sheremet Ahmeti, drejtor i Divizionit të Komunikacionit Rrugor në PK, tha se zyrtarët e parë policorë të Policisë së Kosovës, sot do të udhëtojnë për në Shqipëri, me që rast do të bëhet organizimi i shërbimeve të përbashkëta të policisë rrugore në Shqipëri gjatë sezonit të verës. Ahmeti tha se do të dërgohen 6 zyrtarë policorë dhe tri vetura, ku do të formohen atje patrulla së bashku me policë të Shqipërisë.
“Nga ky moment ne do të shkojmë në mision asistencë të kolegëve tanë nga Shqipëria. Ne i dërgojmë gjashtë zyrtarë… dhe i formojmë atje gjatë patrulla, do të thotë një policë i Kosovës dhe një polic i Shqipërisë, shkojmë me tri vetura përkatësisht një veturë e jona një veturë e Shqipërisë. Kjo praktikë deri më tash është mirëpritur nga të gjithë në Shqipëri edhe nga qytetarët e Shqipërisà «, por mbi të gjitha nga pushuesit kosovar që atje shkojnë të pushojnë dhe nga të gjithë bashkatdhetarët tanë ku do që janë që kalojnë aksin rrugor dhe rrugën e kombit… Qëllimi kryesor është për të ofruar siguri të gjithë qytetarëve… ka përmirësime në sigurinë rrugore me prezencën tonë atje dhe shpresojmë që me këtë patrullim të përbashkët atje do t’i kontribuojmë sigurisë”, tha Ahmeti.
Shef i seksionit te kontrollit rrugorë në Shqipëri, Sokol Zefi tha se kanë mirëpritur bashkëpunimin për këtë sezon me policinë kosovare. Ai uron që ky bashkëpunim të jetë i suksesshëm. Zefi tha se nuk ka asnjë ndryshim deri tani në parametrat e policisë në komunikacion.
“Në emër të policisë shqiptare i urojmë mirëseardhje forcave tuaja në mbështetjen tonë. Urojmë që ky bashkëpunim të jetë i suksesshëm dhe vazhdojmë në ata parametra që kemi qenë deri tani dhe nuk asnjë ndryshim deri tani”, tha Zefi.
Gjatë takimit mes dy drejtorëve është vendosur që të krijohen kushte lehtësuese për qytetarët e të dyja vendeve për përdorimin e pikave kufitare dhe atyre turistike gjatë realizimit të udhëtimeve të tyre. /KP