Aktuale

Policia e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë me kontrolle të përbashkëta në pikën Vërmicë-Morinë

Policia e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë kanë nënshkruar procedurat e përbashkëta të kontrollit kufitar të pikat e kalimit kufitar Vërmicë-Morinë.

Në një njoftim për media, bëhet e ditur se procedurat e përbashkëta të kontrollit kufitar janë nënshkruar nga dy drejtorët e përgjithshëm të Policisë, Shpend Maxhuni dhe Haki Çako.

“Këto procedura janë bërë me qëllim që të thjeshtëzojnë dhe të shpejtojnë kalimin e kufirit duke zbatuar kontrollin e plotë kufitar hyrje dalje nga secila palë, duke vendosur kabinat e përbashkëta, në dalje për palën kosovare në PKK Morinë dhe për palën shqiptare në Vërmicë”, thuhet në njoftim.

Më tej në njoftim thuhet se gjatë kalimit të kufirit do të zbatohet parimi i kontrollit kufitar në ndalje dy kontrolle.

“Kjo procedurë, pra lehtëson dhe shpejton kalimin e kufirit, por në të njëjtën kohë garanton siguri në kontrollin kufitar dhe zbaton standardet e kontrollit kufitar”, thuhet në fund të njoftimit./KosovaPress/