Lavdrim Muhaxheri, pjesëtar i organizatës terroriste, ISIS, raportohet të jetë vrarë sot gjatë një sulmi amerikan kundër të ashtuquajturit Shteti Islamik në Siri.
Vrasjen e Lavdrim Muhaxherit, pak pas orës 00:00 të mesnatës së të enjtes e ka konfirmuar edhe vëllai i pjesëtarit të ISIS, Bajrami.
Ai njoftimin e ka bërë në Facebook, ku ka shkruar se “vëllai i ka rënë shehid”, dhe lutet që “Allahu të e pranojë atë në mesin e shehidave, pejgamerëve e njerëzve të mirë”.
Gazeta Express, ka kontaktuar me Policinë e Kosovës. Këta të fundit kanë thënë se posedojnë informacione për vrasjen e një personi kosovarë në luftimet në Siri.
“Policia e Kosovës posedon informacion për vrasjen e një personi kosovar në Siri, i cili është nga Kosova. Mirëpo referuar situatës në Siri, PK nuk posedon informacion apo dokumentacion zyrtar për vrasjen e tij”, ka bërë të ditur, për Gazetën Express, zyra për Informim në Policinë e Kosovës.