Aktuale

Policia e Kosovës arreston pesë persona dhe sekuestron rreth 80 kg narkotikë

Policia e Kosovës nëpërmjet një konference të jashtëzakonshme për media ka bërë të ditur se në një aksion të realizuar në rajonin e Gjakovës, ka arritur të sekuestrojë rreth 80 kilogramë të substanca narkotike dhe ka arrestuar pesë persona.

Majori Bahri Shala, nga departamenti i antidrogës, bëri të ditur se, Policia e Kosovës dje rreth orës 23:00, ka ndërmarrë një aksion me ç’rast janë arrestuar dy shtetas shqiptarë dhe tre serbë.

 

“Operacioni është ndërmarrë me urdhër të prokurorit kompetent dhe është realizuar me arrestimin e pesë personave të dyshuar tek të cilët fillimisht janë gjetur në posedim të 32 kilogram marihuanë dhe më pastaj është ndërmarrë urdhër për kontrollimin e lokacioneve të tjera prona të personave të dyshuar tek të cilët gjatë mesnatës janë gjetur edhe një sasi e konsiderueshme e substancës narkotike e cila në total 32 kilogram dhe pjesa tjetër arrin në sasinë me pesë 79kilogram e  863 gram”, tha ai.

Personat e arrestuar janë, U. Gj. viti i lindjes 1971, mashkull, shtetas Kosovar, M. B. viti i lindjes 1989, mashkull, shtetas Kosovar, D. M. viti i lindjes 1982, mashkull, shtetas i Serbisë, J. V. viti i lindjes 1973, mashkull, shtetas i Serbisë dhe R. Zh. viti i lindjes 1980, mashkull , shtetas i Serbisë.

Gjithashtu, Majori Shala, bëri të ditur se në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar edhe dy vetura, një armë gjahu, një pushkë ajrore dhe fishek të kalibrit të ndryshëm.

 

“Gjatë kontrolles në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar edhe dëshmitë në vijim, dy vetura, njëra me tabela të Republikës së Kosovës dhe tjetra me tabela të Republikës së Serbisë, një armë gjahu, një pushkë ajrore, një karikator A47, 15 fishek të kalibrit 7.62 milimetër, 10 fishek dhe  2 gëzhoja të kalibrit 12 milimetër, një qante e zezë e cila ishte përdorur për bartje të narkotikëve”, njoftoi Shala.

Ndërsa, sipas majorit Bari Shala, dukuria e narkotikëve në Kosovë ka shënuar rritje.

 

“Dukuria e narkotikëve si dukuri me rrezikshmëri shoqërore vazhdimisht në të gjitha shtetet shënon rritje, do të thotë nuk shënon zvogëlim. Për shkak të trendit të tillë edhe në Kosovë ka shënuar rritje qoftë në konfiskim, qoftë transitivi nëpërmjet territorit tonë. Megjithatë edhe ne si Polici kemi rritur kapacitetet dhe aktivitetet tona me qëllim që ti kundërvihemi kësaj dukurie. Do të thotë ka shënuar rritje”, tha ai.

Shala shtoi se substanca narkotike ka ardhur nga Shqipëri me qëllim që të bartet në vendet evropiane.

Me vendim të prokurorit personave të arrestuar u është shqiptuar masa e ndalimit policor prej 48 orëve./KP