Aktuale

Policia: Dyshohet se ishte i dehur personi që shtiu me armë

Kaosi i shkaktuar mbrëmë në festivalin e birrës po dyshohet se ka ndodhur pasi një i dehur ka shtënë me armë. Policia ende nuk e ka arrestuar të dyshuarin derisa hetimet po i vazhdojnë. Për situatën e krijuar në Kryeqytet ende s’ka asnjë reagim prej udhëheqjes komunale, të cilët deklarohen edhe për ngjarje që ndodhin jashtë Republikës.

Festivali tradicional i birrës në Prishtinë nuk ka kaluar ashtu siç kishin pritur organizatorët dhe qytetarët.

Numër i madh i qytetarëve ishin mbledhur mbrëmë në sheshin “Zahir Pajaziti” për të pirë e për të vallëzuar, por rreth orës 23:00  dikush shtiu me armë zjarri dhe gjendja gati sa eskaloi.

Daut Hoxha nga Policia e Kosovës tha për Gazetën Express se sipas hetimeve dhe intervistave që kanë zhvilluar një person i dehur ka shtirë me armë zjarri, por plumbat nuk kanë lënduar asnjërin nga pjesëmarrësit e Beerfest’it.

“Sipas hetimeve të deritashme, dyshohet se personi që ka shtënë ka qenë i dehur”, ka thënë Hoxha për Express, të shtunën.

“Lidhur me incidentin e mbrëmshëm një person  është i lënduar në këmbën e majtë,  i njëjti është dërguar për trajtim mjekësor, nuk janë konfirmuar lëndime nga arma e zjarrit përveç disa gërvishtjeve që ka marr nga ndonjë objekt i mprehtë”, ka shtuar ai.

Si pasoje e panikut të shkaktuar edhe disa persona tjerë gjithashtu kanë kerkuar ndihmë në QKUK, për shqetsimet apo lëndimet nga turma.

Mbrëmë më 29.07.2016 rreth orës 22;55  është raportuar se në Sheshin ,,Zahir Pajaziti’’ në Prishtinë  ka pasur të shtëna me armë . Policia ka reaguar menjëherë dhe masa operacionale janë realizuar për ta trajtuar incidentin. Ne vendin e ngjarjes janë gjetur edhe disa gezhoja.

Situata është vënë nën kontroll dhe njësitet relevante policore kanë kryer ekzaminimet e nevojshme, përderisa procedurat hetimore për te sqaruar te gjitha rrethanat e rastit janë në proces. Rasti është iniciuar si “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.

Procedurat hetimore janë duke vazhduar/Gazeta Express/