Aktuale

Policia dhe mjekët japin detaje për aksidentin ku vdiq një grua dhe u lëndua një fëmijë

Sërish është një kamion transportues i përfshirë në një aksident në komunën e Gjilanit, ku si pasojë sot mbeti e vdekur një grua 27 vjeçare dhe një fëmijë i moshës 4 vjeçare mbeti i lënduar.

Ky aksident i rëndë mes një kamioni transportues dhe një veture ndodhi në magjistralen Gjilan-Ferizaj, më saktësisht në dalje të fshatit Partesh.

Këtë e ka konfirmuar për FaktePlus zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani.

“Fatkeqësisht në rrugën Gjilan-Ferizaj, në dalje të fshatit Partesh ka ndodhur një aksident trafiku ku si pasojë e aksidentit një grua dyshohet që ka humbur jetë në vendin e ngjarjes. Në aksident janë të përfshirë një veturë dhe një kamion transportues”, tha Hashani.

Ai tha se patrullat e Policisë janë ende në vendin e ngjarjes dhe janë duke i hetuar rrethanat e këtij aksidenti të rëndë.

Kurse shefi i Emergjencës në Spitalin Rajonal të Gjilanit, Enver Murtezi, ka bërë të ditur për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, se janë bërë ekzaminimet e 4 vjeçarit të lënduar dhe se aktualisht gjendja e tij mbetet stabile.

“Gjendja e fëmijës për momentin është stabile. Ka lëndime në kokë, në ekstremitete, ka frakturë por për momentin është stabil. I kemi bërë të gjitha ekzaminimet edhe CT e kokës dhe po presim rezultatin e CT dhe do të pranohet këtu në repartin e ortopedisë apo do të dërgohet në Prishtinë”, ka thënë Murtezi.

Kujtojmë se ditë më parë një kamion i kompanisë së ujit “Uji i Pejës”, shkaktoi dje një aksident të rëndë në qendër të Gjilanit, ku si pasojë mbeti një i vdekur dhe dhjetëra të tjerë u lënduan.

Aksidenti është thënë se erdhi si pasoj e mos funksionimit të frerëve të kamionit. Madje kamioni në fjalë më vonë është vërtetuar se kamioni nuk ka qenë i regjistruar që nga viti 2017, që rrjedhimisht ka qarkulluar pa kontrollet e duhura teknike.

Këtë fillimvit rritje e numrit të aksidenteve në Gjilan

Të dhënat e Policisë së Kosovës tregojnë se vetëm në komunën e Gjilanit nga fillimi i këtij viti kanë ndodhur rreth 50 aksidente. Zëdhënësi i policisë nga kjo komunë, Ismet Hashani ditë më parë i tha për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus se krahasuar me vitet paraprake ka një rritje të numrit të aksidenteve.

Kurse, gjatë kontrollimeve rutinore njësitet policore të trafikut nga Gjilani, për këtë periudhë kohore kanë shqiptuar 60 fletë paraqitje për kundërvajtje të ndryshme në trafik, në mesin e të cilave janë gjetur edhe parregullsi teknike.

“Sa i përket kontrolleve të jashtëzakonshme për këtë periudhë kohore, pra nga janari i këtij viti e deri më tani janë shqiptuar 60 fletë-paraqitje për kundërvajtjeje të ndryshme në trafik, ku gjatë kontrolleve janë gjetur parregullsi teknike, nga më të ndryshmet, dhe në shumë raste mjetet janë dërguar për kontrolle”, pati deklaruar Hashani.

Shteti duhet të shtojë inspektimet dhe ndëshkimet

Kosovës po i mungon një strategji e qartë rreth funksionimit të qendrave të kontrollit teknik karshi nevojave reale të shoqërisë. Kështu ka konsideruar njohësi i sigurisë rrugore, profesori Muhamed Krasniqi.

Ai tha se rastet e fundit në Gjilan janë ëalarm që organet përgjegjëse të cilat kanë autoritet ligjor në mbikëqyrjen dhe inspektimin e qendrave të kontrollit teknik të automjeteve, duhet të rrisin angazhimin dhe seriozitetin në punë.

“Organi mbikëqyrës duhet të veprojë në dy rrafshe, në njërën anë të përkrahë qendrat e kontrollimit teknik që punojnë drejt dhe ndershëm, duke respektuar me konsistencë legjislacionin e fushës, dhe në anën tjetër të ushtrojë inspektim rigoroz dhe të ashpërsojë masat ndëshkimore për qendrat që ofrojnë shërbime fiktive. Ne e dimë që secili automjet dërgohet në qendër për kontrollim teknik dhe inspektimi i automjetit monitorohet me kamera, por nuk i dimë rrethanat tjera!”, ka thënë Krasniqi.

Profesor Krasniqi mes tjerash thotë se edhe qytetarët vetë nuk duhet të neglizhojnë rregullsinë teknike të automjeteve të tyre, pasi bëhet fjalë në radhë të parë për sigurinë e tyre.

Kontrolli teknik sipas ligjit

Me Ligjin për Automjetet parashihet se kontrolli teknik është kontroll i përcaktuar për të siguruar se automjeti është i sigurt që të përdoret në rrugët publike dhe është në përputhje me karakteristikat e kërkuara dhe të detyrueshme të sigurisë dhe të mjedisit; certifikata e kontrollit teknik – është dokument i lëshuar nga subjekti juridik, dhe i cili përmban rezultatet e kontrollit teknik të mjetit, subjekti juridik për kontrollë teknike – është subjekti juridik i autorizuar për kryerjen e kontrollit teknik të mjeteve rrugore si dhe mangësitë – janë defektet teknike dhe rastet e tjera të mos-përputhjeve të gjetura gjatë kontrollit teknik./Sh.A – FaktePlus