Aktuale

Policët kosovarë u korruptuan me cigare, dënohen gjashtë muaj burgim

Gjykata Themelore e Mitrovicës ka dhënë verdiktin përfundimtar ndaj Blerim Ramës dhe Kenan Hasanit, të akuzuar për “marrje të ryshfetit”.Të akuzuarit janë dënuar me nga 6 muaj dënim me burg. Ky dënim nuk do të ekzekutohet nëse të pandehurit nuk kryejnë vepër të njëjte apo më të rëndë penale, në afat prej 2 vitesh.

Gjatë seancës së sotme, të pandehurit e kanë pranuar fajësinë për kryerjen e kësaj vepre penale, ndonëse dje kishin mohuar këtë fakt.Në fjalën përfundimtare, Prokurori i Shtetit Njazi Rexha deklaroi se provat të cilat gjenden në shkresat e lëndës vërtetojnë se të akuzuarit kanë kryer këtë vepër penale. Një fakt i tillë u pranua edhe sot nga vetë të akuzuarit. Në këtë mënyrë, kërkoj që të akuzuarit të shpallen fajtorë duke pasur parasysh që gjitha rrethanat lehtësues dhe rënduese me rastin e matjes së dënimit, përfundoj Rexha.Mbrojtësja e Blerim Ramës, Avokate Zehrave Verbovci, kërkoj nga Gjykata që pranimin e fajësisë nga ana e klientit tim ta marrë si rrethanë lehtësuese, dhe ndaj tij të shqiptojë një dënim sa më të buti.

I akuzuari Kenan Hasani tha se pendohem për kryerjen e kësaj vepre penale, dhe i kërkoj falje palës së dëmtuar.

Kërkoj nga Gjykata të më shqiptojë një dënim sa më të butë, përfundoj i akuzuari Hasani.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit Blerim Rama dhe Kenan Hasani kanë marrë përfitim material nga i dëmtuari Arber Sylejmani në mënyrë që të mos kryenin një veprim i cili binte në kuadër të autorizimeve të tyre.

Ata këtë e kanë bërë në atë mënyrë që kanë ndalur të dëmtuarin dhe kanë konstatuar se automjetit të cilin ai e drejtonte i ka skaduar regjistrimi. Pas kësaj, kanë kërkuar nga i dëmtuari që t’ua blejë 3 pako ne cigare Marlboro, që të njëjtin mos ta dënojnë.