Rajon & Botë

Po vazhdojnë temperaturat rekorde në Australi

Autoritetet australiane kanë ngritur alarmin për shpërthim të zjarreve në Viktoria dhe Tazmani. Pritet që në këto rajone të shënohet temperatura më e lartë që nga viti 2009.

Ministrja e Energjisë, Lily D’Ambrosio, ka thënë se tri termocentrale janë jashtë funksionit për shkak të kushteve të jashtëzakonshme të motit, duke shkaktuar pakësim të prodhimit të energjisë elektrike për më shumë se një mijë megavatë. “Kemi termocentrale të vjetruara dhe nuk janë të besueshme”, tha ajo.

Temperatura në Melburn në orën tetë të mëngjesit ka qenë 35 gradë, ndërsa gjatë natës rreth 30 gradë. Chris Godfred, zyrtar i Byrosë së Meteorologjisë, ka thënë se kjo temperaturë paraqet rekord për temperaturën e natës. Ndërkaq, temperatura në Melburn gjatë mesdites pritet të arrijë në 44 gradë, vetëm dy gradë më pak se rekordi i të gjitha kohërave, i cili ishte shënuar në vitin 2009.

Zjarrfikësit i kanë paralajmëruar qytetarët që të mos shëtiten nëpër zonat me shkurre për shkak të rrezikut nga përhapja e zjarreve në natyrë. Autoritetet e kanë ndaluar rreptësisht ndezjen e zjarreve në mjedis të hapur për shkak të mundësisë për të dalë nga kontrolli, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.

the authorBurbuqe Metolli