Listat e veteranëve të luftës është fryrë tej mase, prandaj buxheti vështirë i mbulon pagat për këtë numër të madh, por nëse listat pastrohen dhe zbritet në numrin real, atëherë veteranët do të marrin jo vetëm 170 euro, por edhe më shumë, ka thënë në Info Magazine të Klan Kosovës, Agim Krasniqi, zëvendësministër i Ministrisë së Financave.
“Ne kemi arritur akord me FMN-në që t’i ndajmë 50 milionë në vit – pra 38 milionë për veteranë dhe 12 milionë për invalidë – dhe nëse pastrohen listat, veteranët mund t’i marrin jo vetëm 170 euro, por edhe më shumë”, ka thënë Krasniqi.
Sipas të dytit në ministrinë e Financave fillimisht ishin pajtuar të gjithë se s’ka më shumë se 12-13 mijë veteranë, por tani dolën se janë afër 50 mijë.
“Edhe komisioni edhe shoqatat janë pajtuar që numri maksimal i veteranëve të jetë rreth 12-13 mijë persona. Por në momentin e fillimit të ekzekutimit është parë që diçka nuk është mirë, sepse numri është rritur mbi të gjitha parashikimet”.
“Në planifikimin buxhetor të këtij viti janë ndarë 25 milionë. Por numri i veteranëve është rritur në 24 mijë persona. Ndaj janë shtuar edhe shtatë milionë euro në këtë linjë buxhetore. Pastaj ka pasur edhe një rritje prej katër mijë veteranësh. Kështu ne kemi vendosur që kjo pjesë të paguhet nga fondet rezervë të shtetit”.
“Veteranët nuk duhet të brengosen a do t’i marrin apo jo pensionet, pasi ne do ta gjejmë një zgjedhje. Por ky numër i veteranëve do të reflektojë në vitet vijuese. Në total pagesa për pjesëmarrësit e luftës mund të shkojë në 150 milionë dhe shteti i Kosovës e ka të pamundur ta paguajë këtë shifër”.
“Ne po shpresojmë që ta gjejmë një model, apo zgjidhje të pranueshme, në mënyrë që të mbetemi brenda programit të Fondit Monetar Ndërkombëtar”.
“Ndoshta edhe kjo shifër që e marrin veteranët është e vogël. Por ne nuk kemi të drejtë që t’i ngarkojmë gjeneratat e ardhshme me numër të madh veteranësh, një pjesë e të cilëve mund të mos jenë të tillë”, ka thënë Krasniqi.
“Ne si qeveri e kemi gjetur një komision të formuar nga ajo e kaluara. Dhe ai komision që ka punuar bashkë me komandantët e zonave e kanë krijuar një gjendje të tillë. Unë çuditem me kryetarin e këtij komisioni që ka qenë komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe thotë që t’i lëmë listat siç janë”.