Rajon & Botë

A po përpiqet drejtori i FBI-së të sabotojë kandidaturën e Hillary Clinton?

Drejtori i FBI-së James Comey është përzier në fushatën zgjedhore amerikane dhe është tani vetë në qendër të kritikave. A po përpiqet ish-republikani të sabotojë kandidaturën e Hillary Klintonit?

Më 2 mars 2015 New York Times shkruante se Hillary Klinton përdorte në kohën e saj si ministre e Jashtme një servër privat për e-maila. Pasi Klintoni e pranoi pak ditë më pas këtë fakt të botuar nga New York Times, FBI-ja filloi hetime ndaj saj.

Një vit më vonë drejtori i FBI-së James Comey deklaroi se institucioni tij i kishte mbyllur hetimet dhe se nuk kishte gjetur ndonjë shkak për të ngritur akuzë kundër Klintonit. Shpallja e mbylljes së hetimeve pak kohë para zgjedhjeve presidenciale dhe në mënyrë aq të hollësishme e prezantimit të kësaj ngjarjeje përpara shtypit, sikurse e bëri vetë James Comey, është e pazakonshme në SHBA.

Republikanët në Kongres u zemëruan shumë që shefi i FBI-së, vetë ish-republikani, nuk rekomandoi ngritjen e padisë ndaj Hillary Klintonit. Sidomos Donald Trump, por edhe republikanë të tjerë e kritikuan ashpër atë. Demokratët, u ndjenë të lehtësuar, dhe e lavdëruan vendimin. Në këtë kohë u duk se historia mori fund.

Por 11 ditë para zgjedhjeve James Comey, ndezi  për herë të dytë brenda pak muajsh një bombë politike. Ai i infromoi me një letër të shkurtër anëtarët e Kongresit se FBI-ja ka nisur sërish hetime në lidhje me aferën e e-mailave të Hillary Klintonit, por se nuk mund të thotë nëse këto e-maile janë relevante apo jo. Letra u jo vetëm që u bë menjëherë e njohur në publik, por dominon që prej atij momenti edhe fushatën zgjedhore në SHBA.

Kësaj radhe kritikat ndaj Comey-it erdhën nga kampi i demokratëve dhe nga Hillary Clinton. Me letrën e tij ai ka thyer jo vetëm një rregull të hekurt që gjashtë javë para zgjedhjeve të mos ndërmerret asnjë veprim që mund të interpretohet si ndikim politik, por e ka kthyer madje kokëposhtë fushatën zgjedhore.

Edhe presidenti Barack Obama e kritikoi FBI-në, por pa e përmendur emrin e James Comey-it. Ai tha se hetuesit duhet të punojnë me informacione dhe vendime konkrete dhe jo me aludime.

Edhe shumë republikanë dhe ekspertë të drejtësisë janë të zemëruar me hapin e Comey-it për të informuar Kongresin, megjithë paralajmërimet që i ishin bërë nga autoritetet më të larta të drejtësisë. Richard Painter, profesor i drejtësisë në Universitetin e Minesotës, tha për DW-në se veprimi i Comey-it është “një shpërdorim monstruoz i postit” dhe “jo mënyra se si punon FBI-ja, e cila duhet t’i mbajë hetimet sekret.”

William Snyder, ish-zëvendësprokuror në shtetin e Pesilvanisë dhe të Uashingtonit, thotë se Comey, kur kishte deklaruar mbylljen e hetimeve nuk e dinte se do të dilnin materiale të tjera dhe se në momentin që ato dolën, e ndjeu veten të detyruar të bënte këto sqarime shtesë.

Richard Painter dhe shumë të tjerë mendojnë se James Comey është vetë fajtor, se ai nuk duhet t’i premtonte Kongresit, kur deklaroi mbylljen e hetimeve, se do ta informonte sërish, nëse do të kishte zhvillime të reja. William Snyder thotë se fajin e ka Kongresi, se nëse kongresmenët nuk do ta thërrisnin Comey -in për të deklaruar përpara Kongresit ai nuk do të vihej në një situatë të tillë.

Daniel Richman, këshilltar i Comey-it mendon se sido që të vepronte shefi i FBI-së ai do të kritikohej. Po të kishte heshtur, do të kritikohej dikur kur gjërat të dilnin në shtyp, se kishte heshtur në këto rrethana të jashtëzakonshme. Tani që u shpreh kritikohet për ndikim politik. Richman thekson se “agjenda e Comey-it është të mbrojë integritetin dhe kredibilitetin e FBI-së”. /DW/.