Deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani pretendonte të dilte kundërkandidate e Isa Mustafës për kryetare të LDK-së, ndërsa mbeti edhe jashtë Këshillit të Përgjithshëm të kësaj partie. Ndërsa, deputeti Shpejtim Bulliqi pasi nuk e dëgjoi shefin e tij, Isa Mustafën për çështje e demarkacionit mund të mbes jashtë listës së LDK-së për deputet. Lajmi.net u rikujton sesi rrjedhën “ndëshkimet” në LDK.
Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa u zgjedhë kryeministër në fund të vitit 2014, por kundër kishte disa bashkpartiak të cilët kundërshtonin hyrjen në koalicion me PDK-në. Në mesin e tyre ishin edhe Vjosa Osmani dhe Arben Gashi.
Por, nuk kaloj shumë kohë dhe filloi ndëshkimi për të “padëgjueshmit” e Mustafës.
Kështu, deputetja Vjosat Osmanit e cila pretendonte të dilte kundërkandidate e Mustafës për kryetare të LDK-së, nuk iu lejua të kandidojë pasi i thanë se për t’i hyrë kësaj gare duhet të merrte mbështetjen e 175 delegatëve. Për më tepër, Osmani mbeti edhe jashtë Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, së bashku me deputetin Arben Gashi.
Në këtë Kuvend zgjedhor, Isa Mustafa u rizgjodhë kryetar i LDK-së me aklamacion dhe pa kundërkandidat.
I padëgjueshëm për Isa Mustafën ishte edhe deputeti tjetër i LDK-së, Shpejtim Bulliqi i cili është edhe profesor në Departamentin e Gjeografisë në Universitetin e Prishtinës. Ai së bashku me kolegë tjetër të fushës së gjeografisë kritikuan Marrëveshjen për Demarkacionin e Kufirit me Malin e Zi. Bulliqi thoshte se me këtë marrëveshje Kosova humbë mbi 8 mijë hektarë tokë, shkruan lajmi.net
Kështu filloi kundërshtimi i kësaj marrëveshjeje edhe nga disa deputetë të koalicionit qeverisës dhe në këtë mënyrë koalicioni për rreth dy vite nuk arriti të siguronte 80 votat e nevojshme për ratifikim të demarkacionit.
Ndërkohë, kreu i LDK-së në një intervistë për njërin prej televizioneve në vend pati paralajmëruar deputetët të cilët po e kundërshtonin demarkacionin, duke thënë se ata nuk do kenë mundësinë që të kërkojnë më besimin e qytetarëve për të qenë deputet të LDK-së.
Gjithashtu, para disa muajsh Mustafa përmes një statusi në llogarinë e tij në “Facebook” ka thënë se LDK dhe qytetarët e dinë se cilët deputetë po e lënë Kosovën pa liberalizim të vizave pasi demarkacioni është kushti i fundit i papërmbushur për heqjen e vizave.
E ndëshkimi i paralajmëruar për deputetët e LDK-së që e kundërshtuan demarkacionin po vjen. I pari në këtë listë duket të jetë pikërisht Shpejtim Bulliqi, i cili ishte më i zëshmi kundër Marrëveshjes së Vjenës. Ditë më parë, dega e LDK-së në Podujevë ka vendosur që mos ta propozojë Bulliqin për kandidat për deputet.
Megjithatë, mbetet të shihet nëse Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së do ta fus Bulliqin në listën e deputetëve pasi Isa Mustafa sot tha se ende nuk ka asgjë definitive sa i përket listës së deputetëve. /Lajmi.net/