Çmimet e energjisë elektrike për amvisëritë në Maqedoni prej nesër, 1 korrik, do të ulen për 0,25 për qind.
Siç kumtoi sot kryetari i Komisionit Rregullator për Energjetikë (KRRE) Dimitar Petrov, arsyeja për lirimin e çmimeve janë shpenzimet më të vogla që i kanë paraqitur kompanitë energjetike.
Çmimi përfundimtar do të jetë 4.9777 denarë për kilovat orë, por dallon në varësi prej grupeve të tarifuara. Këtë vendim Komisioni Rregullator i Energjetikës i Maqedonisë e miratoi pasi e shqyrtoi kërkesën, që me ligj patjetër e kanë ta dorëzojnë kompanitë ELEM, EVN dhe MEPSO.
Ky është viti i dytë me radhë që energji elektrike lirohet për amvisëritë. Vjet është zvogëluar për 0,33 për qind.
Çmimi i ri i energjisë elektrike do të hyjë në fuqi nga e premtja dhe do të paguhet me faturat që do të vijnë në muajin gusht. Ky çmim do të vlejë deri në qershor të vitit të ardhshëm.
Sipas të dhënave të fundit nga Eurostat, Maqedonia paguan energji më të lirë elektrike në Evropë.