Aktuale

Plani për seancën e nesërme kur pritet të shpërndahet Kuvendi

Nesër Kuvendi i Kosovës do ta mbajë seancën e fundit të legjislaturës së gjashtë (6). Në këtë seancë do të jenë në rend dite dy pika.

Pika e parë do të jetë shqyrtimi dhe miratimi i Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes Financiare për IPA 2018 ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

E pas kësaj pike, deputetet do ta kenë një vendim të rënd për ta marrë, atë për ndërprerjen e mandatit të tyre si deputetë.

Kjo pasi në rend dite si pikë e dytë në këtë seancë, do të jetë shqyrtimi i propozimit të gruptit të deputetëve për shpërndarjen e legjislaturës së gjashtë (6) të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Në propozimin për shpërndarjen e Legjislaturës së gjashtë të Kuvendit është dhënë edhe arsyetimi.

“Në pajtim me qëndrimet e shprehura nga të gjitha grupet parlamentare në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit me kryetarët e grupeve parlamentare të mbajtur me 5 gusht 2019, lidhur me propozimin për shpërndarjen e legjislaturës së gjashtë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, propozojmë që të thirret seancë e jashtëzakonshme me 22 gusht 2019 me këtë rënd dite: 1. Votimi i Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes Financiare për IPA 2018 ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian dhe 2 shqyrtimi i propozimit të grupit të deputetëve për shpërndarjen e legjislaturës së gjashtë (6) të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, thuhet në arsyetim.

Për shpërndarjen e Kuvendit tashmë të gjitha grupet parlamentare i kanë dhënë nënshkrimet e tyre, duke filluar nga PDK-ja, LDK-ja, Vetëvendosje, AAK-ja, PSD-ja, Nisma dhe grupi 6+. /FaktePlus