Zëvendëskryeministri Driton Selmanaj ka reaguar pas plagosjes me armë zjarri të një zyrtari policor në lagjen Veternik në Prishtinë, shkruan Gazeta Express.
Sipas tij, sulmi me armë zjarri dhe cenimi i integritetit fizik të policit në detyrë, gjatë parandalimit të krimit, është i papranueshëm dhe i dënueshëm.
“Sulmi me armë zjarri dhe cenimi i integritetit fizik të policit në detyrë, gjatë parandalimit të krimit, është i papranueshëm dhe i dënueshëm. Zyrtarit policor i dëshiroj shërim të shpejtë dhe si anëtar i Kabinetit të Qeverisë së Republikës së Kosovës zotohem për mbështetje të pa rezervë Policisë së Kosovës në zbatimin e rendit dhe ligjit”, ka shkruar ai në një postim në “Facebook”.
Në ndërkohë në orët e para të mëngjesit hajnat kanë tentuar të vjedhin para në një bankomat në këtë lagje.
Lajmin e kanë bërë të ditur nga Policia e Kosovës në rajonin e Prishtinës në një përgjigje për Express.
Policia bëri me dije se rasti ka ndodhur rreth orës 5 e 30 minuta.
Sipas njoftimit, policia ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku edhe ka pasur të shtëna me armë zjarri.
“Rreth orës 05:30 është pranuar informata për një tentativë grabitjeje të një bankomati në një qendër tregtare në lagjen Veterniku në Prishtinë.
Me të marrë informatën, policia me shpejtësi ka dalë në vendin e ngjarjes dhe të dyshuarit, për t’iu shmangur kapjes nga policia, kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të zyrtarëve policorë dhe për pasojë kanë plagosur një zyrtar policor, i cili menjëherë është dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor. /Gazeta Express/