Një gazetare e radios ruse ”Echo e Moskës”, zë kritik i Kremlinit, u plagos sot me thikë nga një person i panjohur, i cili ishte futur në redaksi.
”Tatjana Felguengauer është shtruar në spital, ku na u njoftua se nuk është në rrezik për jetën”, njoftoi kryeredaktori i radios, Aleksei Venediktov.
“Agresori ka kërcënuar rojën e ndërtesës, para se të ngjitej në ambientet e brendshme të radios, që ndodhet në qendër të Moskës, dhe ka plagosur me thikë në qafë gazetaren Tatjana Felguengauer”, tha ai.
“Nuk kam asnjë ide se kush mund të jetë ky person”, u shpreh Venediktov, duke saktësuar se punonjës të sigurisë në radio, e kishin ndaluar sulmuesin duke e dorëzuar më pas në polici.
Radio “Echo e Moskës”, stacioni i parë i lirë i krijuar në 1990 përpara rrëzimit të regjimit sovjetik, ka kaluar nën drejtimin e grupit publik të gazit “Gazprom” në 2001, një vit pas ardhjes në pushtet të presidentit Vladimir Putin.