Aktuale

Piloti italian tregon emrat e porositësve të drogës, në ndihmë edhe “Interforca” italiane

Pas një marrëveshje me prokurorinë dhe policinë, piloti italian Guido Guidi është liruar për t’u hetuar në gjendje të lirë.

Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe piloti bënë marrëveshje mes tyre. Piloti italian ka treguar emrat e porositësve të mallit që do të transportohej nga pista ku u rrëzua avioni tip “piper” sot në mëngjes.

Aktualisht emrat treguar nga italiani nuk bëhen të ditur. Piloti italian është shoqëruar edhe njëherë në vendin ku u rrëzuar avioni për të treguar detaje më të hollësishme mbi mënyrën se si do të kryhej transportimi i drogës.

Shoqërimi në vendin ku u rrëzua avioni është bërë që piloti të japë detaje të reja për prokurorinë.

Ndërsa 20 të shoqëruar u regjistruan deri në mbrëmjen e djeshme nga policia e Durrësit dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda lidhur me rënien e avionit “Pipper” në zonën e Ishmit.

Rruga që të çon në këto fusha është tërësisht e pakalueshme nga njerëzit dhe karrot, as makinat e ulëta nuk mund të kalojnë. Makinat më të larta lëvizin me shumë vështirësi. Për shkak se është tërësisht e amortizuar dhe me gropa mbi 1 metër të thella, pothuajse në të gjithë gjatësinë e saj zona ka mbetur jashtë vëmendjes së policisë, apo edhe të njerëzve. Toka e kthyer në pistë për ulje avionësh u përket banorëve të fshatit Likmetaj.

Avioni ra në trekëndëshin Ishëm-Thumanë-Nikël, zona të njohura për mbjelljen e kanabisit në vite. Policia e Durrësit, zonën moçalore në grykëderdhje të Ishmit nuk e ka pasur nën mbikëqyrje prej kohësh për shkak të terrenit të vështirë.

Nisur nga ky fakt, tri javët e fundit banorët e zonës kanë filluar ndërtimin e një piste për ulje-ngritje avionësh në gjatësinë e tokës, ku pronarë rezultojnë mbi 10 familje të fshatit Likmetaj.

Toka bujqësore prej fshatit Likmetaj shtihet deri në tre km gjatësi, deri në grykëderdhjen e Ishmit. Nga lindja, arat bujqësore kanë një pyll të lartë, në veri një kodër, ndërsa në veriperëndim është grykëderdhja e lumit Ishëm.

“Përveç çobanëve, e gjithë zona është jashtë vëmendjes së fshatit, banorëve apo turistëve për shkak të moçalit që krijohet. Nisur nga ky fakt, hetuesit kanë shprehur bindjen se ndërtimi i një piste për avionë tillë që mund të transportojnë lëndë narkotike është tërësisht i bazuar.

Nisur gjithashtu edhe nga e kaluara me precedentë penalë e pilotit 69-vjeçar, policia e Durrësit i ka kërkuar gripit “Interforcës” në Itali ndihmë për të zbuluar aktivitetin e tij.

Telefoni i privat i pilotit është sekuestruar menjëherë nga prokuroria dhe është kërkuar nga pala italiane të bëjë analizimin e të gjitha të dhënave, thirrjeve drejt numrave të kontaktit në Itali, apo nëse ka, edhe kontakte këtu në Shqipëri.

Nëse piloti ka ndaluar për të transportuar drogë kemi të bëjmë me një grup të strukturuar kriminal në fushën e narkotikëve.

Pak gjasa ka që rënia e avionit të jetë aksidentale”, pohuan burimet. Në fillim të sipërfaqes së tokës, për rreth 500-700 metra, ajo është sheshuar me buldozer, njësoj si rëra e plazhit, çka për hetuesit edhe ky është një dyshim i madh për trafik droge. Banorët, nga marrja në pyetje kanë pohuar se po ndërtojnë një fushë hipizmi, por kjo është pothuajse e pamundur në këtë zonë të skajshme veriore të rrethit të Durrësit.