Pesë raste të reja me Covid-19 janë konfirmuar sot në Komunën e Obiliqit. Të infektuarit janë familjarë të një të infektuari të konfirmuar katër ditë më parë. Sipas kryetarit të Komunës, Xhafer Gashi, kjo familje ka qenë në vetizolim.
Shkrimi i plotë i Gashit në Facebook:
Të nderuar qytetarë,
Sipas njoftimeve të IKSHPK-së, në Obiliq kemi pesë raste të reja pozitiv me Covid-19 në fshatin Milloshevë, rastet në fjalë janë raste kontakti, familjarë të të infektuarit, katër ditë më parë, të cilët janë në vetizolim.Ekipet e QKMF-së po qëndrojnë në kontakt të vazhdueshëm me personat e infektuar dhe në të njejtën kohë po krijohet lista e kontaktit nga ana e tyre, me persona të tjerë.
Bashkëqytetarë të nderuar, lehtësimi i masave është bërë për të na bërë më të përgjegjshëm, por rreziku ndaj këtij virusi nuk ka kaluar ende, andaj ju lutem secilit prej jush që të respektoni me përpikëri rekomandimet e IKSHPK-së, bartja e maskave dhe dorëzave të jetë pjesë e rutinës tonë të përditshme.
Ne jemi bashkë në çdo sfidë, të vazhdojmë së bashku të përgjegjshëm përballë këtij armiku të padukshëm!
Respekto masat! Kujdesu për veten, familjen dhe qytetin tonë!
Xhafer Gashi