Aktuale

Përurohet ura mes Zveçanit dhe Leposaviqit, merr pjesë edhe kryeministri Mustafa

Nën masa të rrepta të sigurisë është përuruar të premten ura e quajtur 167 mbi lumin Bistricë në mes të Zveçanit dhe Leposaviqit, me gjatësi 11.5 metra dhe gjerësi 7.5 metra, vlera e së cilës kap shumën prej rreth 400 mijë euro.

Në këtë ceremoni të organizuar nga KFOR-i përveç komandantit të KFOR-it, Giovanni Fungo dhe eprorëve tjerë të lartë të KFOR-it, kanë marrë pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, si dhe ministri i FSK-së, Haki Demolli.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka përdorur rrugët alternative për të arritur në këtë përurim, për shkak se rreth 100 qytetarë serbë kanë bllokuar rrugën Zveçan-Leposaviq, përkatësisht tek vendi Rudare, për të penguar arritjen e kryeministrit dhe ministrave tjerë kosovarë në vendin e përurimit.

Ata, kanë arritur me rreth një orë vonesë, për ç’arsye edhe është shtyrë fillimi i inaugurimit të kësaj ure, duke shfrytëzuar rrugën alternative përmes fshatrave shqiptare Cerajë dhe Bistricë.

Komandanti i KFOR-it, Giovanni Fungo, me rastin e ceremonisë së përurimit të urës  tha se urat janë një nga simbolet më të fuqishme të bashkimit, bashkëpunimit dhe harmonisë.

Sipas tij, ato bashkojnë njerëzit, hapin rrugët e tregtimit dhe sjellin përparim e tolerancë, ndërsa kur prishet harmonia dhe lindin konfliktet, zakonisht janë urat ndër caqet e para që bien.

 

“Mandati i KFOR-it në fakt është të ndihmojë në mbajtje të një ambienti të qetë dhe të sigurt, si dhe lëvizjen e lirë. Në kuadër të kësaj, shtetet e NATO-s vendosën që të ndërtojnë urë të re 167, duke ndarë 400 mijë euro në mënyrë që të ngritet liria dhe siguria e lëvizjes për të gjithë banorët e Kosovës dhe të përmirësohen kushtet e jetesës për bashkësitë vendore”, ka thënë Fungo.

Ai shtoi se KFOR-i do të vazhdojë të ofrojë siguri , por vetëm angazhimi i përbashkët i gjithë banorëve të Kosovës, mundet me të vërtetë të bëjë ndryshimin.

Ndërkaq, komandanti i Detashmentit të përbashkët regjional veri, Martin Schuler  tha se kjo urë përveç që lidhë komunat veriore të Zveçanit dhe Leposaviqit, është një urë që siguron lëvizjen e lirë të komunikacionit, lehtëson tregtinë dhe simbolikisht shërben si një lidhje për të gjithë njerëzit.

 

“Unë vij nga një vend Zvicra, ku kultura të ndryshme me katër gjuhë të ndryshme, fe të ndryshme dhe tradita, kanë jetuar së bashku në harmoni dhe paqe me shekuj. Kjo zonë shpesh është e ndarë nga male të larta dhe gryka të thella, lumenj dhe liqene. Megjithatë, ne jemi në gjendje t’i tejkalojmë këto gjeografi dhe kultura ndarëse në mes popullatës sonë duke ndërtuar shtigje në male, tunele, ura, dhe me një qëllim të përbashkët të unitetit”, theksoi komandanti i Detashmentit Regjional Veri. /KP