Në fshatin Sfeçël të Podujevës sot është përuruar Qendra për grumbullimi, ruajtjen dhe përpunimin e pemëve dhe perimeve, projekt ky i realizuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe Komuna e Podujevës.
Në ceremoninë solemne, kanë marrë pjesë kryetari i Komunës Agim Veliu, Arban Abrashi, zëvendësministri i Bujqësisë, Vezir Januzi dhe përfaqësuesja i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Sirje Poder dhe mysfirë të shumtë dhe fermerë llapjanë.
Në fjalën e tij me këtë rast kryetari i Komunës, Agim Veliu tha se po përurojmë një projekt të rëndësishëm në interes të fermerëve llapjanë dhe zhvillimit ekonomik të komunës.
“Falë bashkëpunimit me Bashkimin Evropian, respektivisht Zyrën e BE-së në Kosovë, komuna jonë përfitoi donacionin e themelimit të qendrës për grumbullimin, ruajtjen dhe përpunimin e pemëve dhe perimeve në Llap dhe Gollak. Në kuadër të këtij projekti, në të cilin edhe Komuna e Podujevës është bashkëfinancuese, është ndërtuar kjo qendër në të cilën do të grumbullohen, ruhen dhe përpunohen pemët dhe perimet”, tha kryetari Veliu.
Ministri i Punës tha se ndjehet i nderuar që sot po merr pjesë në përurimin e kësaj qendre, duke thënë se Podujeva tashmë ka marrë primatin dhe po bëhet model edhe për komunat e tjera për kultivimin dhe përpunimin e produkteve bujqësore.
Përfaqësuesja e Zyrës se Bashkimit Evropian në Kosovgë, Sirje Poder, përgëzoi fermerët llapjanë për objektin ku do të mund të grumbullojnë, ruajnë dhe përpunojnë produktet bujqësore. Ajo tha se Zyra e Bashkimit Evropian ka përkrahur dhe do të vazhdojë të përkrah projekte të ndryshme zhvillimore në sektorë të ndryshëm.
Objekti i Qendrës për grumbullimin ruajtjen dhe përpunimin e pemëve dhe perimeve ka një sipërfaqe prej 460 metra katrorë kurse kapacitetet e ruajtjes dhe përpunimit të kësaj qendre janë: rreth 700m³ produkte në frigodhoma, kurse rreth 300kg produkte mund të përpunohen brenda ditës.