Arsim & Kulturë

Përurohet objekti i ri i shkollës “Isa Boletini” në Rahovec

Sot u përurua objekti i ri i shkollës fillore “Isa Boletini” në Rahovec, projekt ky i financuar nga Zyra e BE-së në Kosovë në vlerë rreth 1 milionë euro.

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Idriz Vehapi tha se sot është ditë e veçantë për mësuesit dhe mësimdhënësit.

“Ky objekt i ri tashmë i plotëson të gjitha kushtet. Pa dyshim, që arsimi është baza më e fuqishme e përfitimit të dijes dhe si shtet i ri që jemi, kemi fuqinë e krijimit të kuadrove të rinj, edhe pse nuk jemi fuqi në ekonomi. Do të vazhdojmë edhe më tej në ndërtimin e infrastrukturës së shkollave”, tha Vehapi.

Në anën tjetër, Luigj Brusa nga KE tha se që nga viti 2013 kanë investuar në sektorin  e edukimit me rreth 20 milionë euro.

“Asistenca jonë nuk është vetëm teorike, por ne jemi duke e mbështetur Kosovën drejt integrimit në BE. Fëmijët janë akterët kryesor që do ta dërgojnë Kosovën në BE. Për ne, ka rëndësi krijimi i kushteve për nxënësit kosovar. Unë kërkoj nga fëmijët që të mësojnë sa më shumë, ndërsa nuk do të mungoj përkrahja nga ana jonë”, tha Brusa.

Ndërsa, zëvendësministrja e Arsimit, Anila Statovci theksoi rëndësinë e një momenti të tillë, kur përurohet objekti i një shkolle të re. /KosovaPress/