Ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku së bashku me kryetarin e komunës së Lipjanit Imri Ahmeti kanë përuruar të shtunën inaugurimin e punimeve për ndërtimin e një rreth-rrotullimi në rrugën nacionale Prishtinë-Lipjan.
Ata gjithashtu inspektuan edhe punimet në rrugën Gadime e Epërme – Smallushë – Sllovi, e cila sot ka filluar asfaltimin në gjatësi prej 5.026 metrash dhe gjerësi prej 5 metrash.
Zharku ritheksoi përkushtimin e Ministrisë së Infrastrukturës që të zbatojë memorandumin e mirëkuptimit të nënshkruar në mes MI dhe Komunës së Lipjanit për realizimin e projekteve të infrastrukturës rrugore në këtë komunë, të cilat do të realizohen gjatë këtij viti.
“Tanimë po punojmë në rekonstruktimin apo ndërtimin e rrugës Lipjan- Magurë. Do të vazhdohet sivjet prej Magurës deri në Blinajë. Do të kemi zgjerimin e hyrjes prej rrugës Prishtinë-Shkup, hyrjen e Lipjanit zgjerimin në katër korsi. Përveç kësaj, natyrisht, se do të kemi rekonstruimin e rrugës në Gadime. Janë edhe disa projekte të tjera më të vogla”, tha Zharku.
Kryetari Ahmeti theksoi rëndësinë e këtyre projekteve infrastrukturore për komunën e Lipjanit, të cilat do të ndihmojnë në zhvillimin më të madh të kësaj komune. Ai tha se rruga e Magurës është ndër më të rëndësishmet që pritet të finalizohet shumë shpejt.
“Është një shumë rreth 3 milionë euro që këtë vit po investohet në rrugët e Lipjanit, që janë kryesisht rrugë regjionale dhe disa rrugë të tjera lokale. Një ndër rrugët më të rëndësishme është rruga e Magurës, e cila është shtuar dinamika për ta përmbyllë sa më parë këtë investim,” tha ai.
Ahmeti ka bërë të ditur se shpejti do të publikohen edhe disa projekte të tjera, të cilat janë në proces e sipër.
Ndërkaq, pronari i kompanisë “Dino”, Abedin Salihu ka thënë se përfundimi i këtij projekti pritet të bëhet brenda 60 ditëve.
“Ne po planifikojmë që nga dita e fillimit, afër 60 ditë të përfundojë tërë projekti. Kjo është në planin tonë dinamik dhe besoj që do të realizohet pa asnjë problem ,për arsye se është e nevojshme edhe për qytetarët, por edhe jemi të përgatitur që ta realizojmë projektin”, ka thënë ai.
Ndryshe, projekti për asfaltimin e rrugës Gadime e Epërme – Smallushë – Sllovi është financuar nga Ministria e Infrastrukturës në vlerë 439,916.54 euro dhe ka një gjatësi prej 5026 metrash dhe gjerësi prej 5 metrash. Po ashtu, projekti tjetër i ndërtimit të rreth-rrotullimit në rrugën nacionale Prishtinë – Lipjan (te burgu) është financuar nga MI, në vlerë 242,310.27 euro.
Investimet e bëra nga MI në përmirësimin e infrastrukturës rrugore në Lipjan do të ndihmojnë në përmirësimin e jetës së banorëve të kësaj pjese dhe po ndihmojnë në zhvillimin ekonomik dhe lëvizjen më të mirë të njerëzve dhe mallrave./KosovaPress/
