Presidenti i FFK-së Fadil Vokrri të martën pasdite edhe zyrtarisht ka përuruar ndriçimin në “Adem Jashari”, duke bërë ndezjen e reflektorëve të këtij stadiumi, i cili është bërë gati për garat ndërkombëtare si stadium i kategorisë së dytë.
Vokrri me këtë rast ishte i shoqëruar nga nënpresidenti Agim Ademi, anëtari i KE-së Xhelal Broja dhe sekretari i përgjithshëm Eroll Salihu.
Kreu i FFK-së tha se “ky ishte premtimi ynë se më 6 qershor do të ndriçojnë stadiumin ‘Adem Jashari’”, njofton FFK. Ai shtoi se ky është një moment i veçantë për të cilin është pritur gjatë, për të pasur një stadium me ndriçim ku mund të luhen ndeshjet edhe në mbrëmje.
“Ky është një investim i FFK-së, ndërsa në ditët e ardhshme shumë shpejt priten të përfundojnë edhe punimet tjera brenda stadiumit investim i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Kështu që ky stadium do të jetë i gatshëm për kategorinë e dytë për ndeshjet ndërkombëtare. Në veçanti do t’u shërbejë klubeve tona që këtë vit e kanë fituar të drejtën për garat evropiane”, ka thënë kreu i FFK-së.
Ndryshe, nesër do të vijë për t’i mbikëqyrë punimet në stadium inspektori i UEFA-së, Trygve Borno.