Fabrika e ujit në Shkabaj rrit shpresën se nuk do të ketë më reduktime të ujit për qytetarët e Prishtinës por edhe për ata të komunave fqinje të kryeqytetit, Obiliq dhe Fushë Kosovë.
E filluar në vitin 2014 nga fabrika që është përuruar sot në mënyrë indirekte do të përfitojnë edhe komunat si, Drenasi, Podujeva, Lipjani, Graçanica dhe Shtimja.Në përurimin e saj u panë bashkë kryeministri dhe kryetari i Kuvendit bashkë me kryetarin e komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti.
E ky i fundit u entuziazmua shumë për këtë përurim të fabrikës e që sipas tij mundëson që qytetarëve të lahen edhe në orën 2 të natës.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli tha se hapja e fabrikës së ujit në Shkabaj, është ajo që i duhet qytetarit, nga politika, e jo marrja me akuza e kundërakuza mes vetes, por me projektet që kanë të bëjnë me jetën e tyre.
Veseli me këtë rast pati edhe një urim të veçantë për kryetarin e Prishtinës Ahmeti.
Duke iu përgjigjur Veselit, kryetari Shpend Ahmeti , tha se ka arsye që të jetë i entuziazmuar pasi që qytetarët tani e tutje mund të lahen edhe në orët e vona të natës, e jo si deri më tani që janë përballur me reduktime.
Por edhe dikush i pranishëm u ndje i kënaqur pasi që tha se ka meritat për këtë fabrikë.
Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, i cili në kohën kur filloi ndërtimi i kësaj fabrike ishte kryetar i komunës së Prishtiëns tha se po ndihet mirë që po i zgjidhin disa prej problemeve kyçe të qytetarëve. Një përkrahje të madhe në ndërtimin e kësaj fabrike e ka dhënë edhe Bashkimi Evropian. Shefja e zyrës së BE-së në Kosovë Natalia Apostolova tha se BE-ja ka dhënë më shumë se 100 milionë euro në sektorin e ujërave deri më tani, derisa ky është projekti më i madh në këtë sektor.
Për realizimin e këtij projekti Qeveria e Kosovës ka marr kredi edhe nga banka gjermane KFW. Drejtori gjeneral i kësaj banke Roland Siller tha se janë të kënaqur me rezultatet e këtij projekti.
Kryeshefi ekzekutiv i Ujësjellësit Rajonal Prishtina, Ilir Abdullahu, tha se me lëshimin e punës me kapacitet të plotë të këtij impianti do të arrihet një furnizim i qëndrueshëm me ujë për banorët e Prishtinës, Fushë Kosovës, Obiliqit dhe indirekt do të përfitojnë komuna e Podujevës dhe ajo e Graçanicës, por do të përfitojnë gjithashtu edhe komunat, të cilat ata i menaxhojnë, si, Drenasi, Lipjani dhe Shtimja./KosovaPress/