Aktuale

Personi që vrau katër akademikë turq thotë se i sulmoi pasi ata ishin gylenistë

Personi që vrau katër akademikë turq në Eskisehir të enjten i shihte ata si mbështes të klerikut mysliman Fetullah Gylen, thotë agjencia e lajmeve “Reuters”, duke cituar rektorin e universitetit.Policia e ka arrestuar të dyshuarin e identifikuar si Volkan Bayer, i cili duket se nuk është përpjekur të bëjë rezistencë.

Agresori kishte punuar si kërkues në institucionin e lartë arsimor dhe besohet se në momentin e sulmit, ka qenë duke kërkuar dekanin, i cili në atë kohë, nuk ndodhej në ndërtesë.

Në mungesë të tij, zemërimi i studiuesit, ndaj të cilit disa anëtarë të stafit kishin paraqitur vazhdimisht ankesa, u përplas mbi zëvendësdekanin, sekretarin e fakultetit, një lektor dhe një anëtar personeli.Personi në fjalë, i shkarkuar më herët nga detyra, pretendonte se disa punonjës ishin anëtarë të FETO-s dhe të tilla pohime i kishte bërë dhe në gjykatë, është shprehur Hasan Gonen, rektori Universitetit Osmangazi.

Gyleni jeton që prej vitit 1999 në mërgim të vetë-imponuar në Pensilvani.Ai akuzohet nga qeveria turke dhe presidenti Rexhep Tajip Erdoan si orkestruesi i grushtit të dështuar të shtetit korrikun e vitit 2016.

Gyleni mohon çdo përfshirje në episodin që mori më shumë se 250 jetë njerëzish.Guvernatori i Eskisehirit Ozdemir Çakacak tha se prokurorët rajonalë kanë nisur një hetim mbi ngjarjen.