Aktuale

Personat e verbër të diskriminuar nga puna

Rreth katër mijë persona konsiderohen se janë të verbër në Kosovë, prej tyre vetëm një numër i vogël është i inkuadruar në punë.

Këta persona e ndiejnë veten të diskriminuar nga, siç thonë, moszbatimi i ligjit që ekziston për ta, si dhe mundësia e vogël për t’u punësuar, shkruan sot Koha Ditore.

Kryetari i Shoqatës së të Verbërve të Kosovës, Bujar Kadriu, ka thënë se numri i personave të verbër që janë të punësuar në vend është rreth 30. Kjo, sipas tij, është edhe pasojë e moszbatimit të Ligjit për aftësimin, riaftësimin profesional dhe punësimin e personave me aftësi të kufizuara.

“Shkaktari kryesor i mospunësimit të të verbërve është moszbatimi i Ligjit për aftësim dhe punësim për personat me aftësi të kufizuara, i cili parasheh që institucionet publike të punësojnë 1 person me aftësi të kufizuara deri në çdo 50 persona të punësuar”, ka thënë ai.