Rajon & Botë

Përshkallëzohet protesta në Paris, policia hedh gaz lotsjellës

Policia në Paris ka përdorur gaz lotsjellës dhe ujë për t’i shpërndarë protestuesit që janë duke i vazhduar protestat që nisën javën e kaluar kundër rritjes së çmimit të naftës.

Përplasja mes policisë dhe protestuesve shpërtheu pranë pallatit Elysee, kur protestuesit u përpoqën ta thejnë kordonin e policisë që i mbronte zonat e ndjeshme në qendër të qytetit.

Disa mijëra protestues janë të pranishëm në protestë, ndërkaq policia ka angazhuar rreth 3 mijë trupa. Organizatorët e kanë quajtur protestën “Akti i Dytë”, pasi një organizim i tillë ishte mbajtur edhe javën e kaluar. Protestuesit i hoqën pengesat e vendosura nga policia, e cila po përpiqet që t’i ndalojë protestuesit, para se të arrijnë te rezidenca zyrtare e kryeministrit.

Autoritetet kanë deklaruar se deri tash nuk kanë të dhëna se protestuesit kanë hyrë në zona të ndaluara. Në një video të postuar në rrjetet sociale, protestuesit shihen duke e sulmuar policinë me fishekzjarre, përderisa brohorisnin sllogane që i bënin thirrje presidentit Macron që të japë dorëheqje. Pritet që rreth 30 mijë protestues të marrin pjesë në protestën e sotme në Paris.

Protestat janë shkaktuar nga ngritja e çmimit të naftës për 23%, duke e bërë çmimin e naftës 1.51 euro. Ndërkaq, vendimi për ta shtuar edhe një taksë tjetër nga 1 janari në emër të mbrojtjes së mjedisit e ka shënuar fundin e durimit të protestuesve. Në anën tjetër, presidenti Macron e ka fajësuar ngritjen e çmimit në bursën ndërkombëtare, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.

the authorBurbuqe Metolli