Në Konventën e parë të Industrisë së Drurit në Kosovë, u vlerësua se ky sektor ka identitet të të bërit biznes, i cili po i kontribuon zhvillimit ekonomik, krijimit të vendeve të reja të punës dhe rritjes së eksporteve me produktet mjaft cilësore dhe moderne të drurit.
Kryeministri i Qeverisë së Kosovës, Isa Mustafa me këtë rast vlerësoi se fusha e industrisë së drurit konsiderohet se është një fushë e identitetit të biznesit të Kosovës, sepse ka përvoja të mira në fushën e përpunimit të drurit. Sipas tij, ka shumë prodhues të përparuar, që sot janë bërë konkurrent në këtë fushë dhe se po tregohen shumë të suksesshëm.
“Kam vizituar disa prej kompanive të përpunimit të drurit dhe jam habitur për së miri me dizajnin shumë bashkëkohor, me cilësinë e lartë të produkteve që ju i prodhoni dhe me atë se jeni bërë konkurrues jo vetëm në tregun e brendshëm, tregun regjional, por jeni bërë konkurrues edhe në tregun evropian dhe më gjerë. Unë kam parë se objektiva themelore e kësaj konvente, është që të promovohet rritja e aftësisë konkurruese të kësaj industrie karshi industrive tjera dhe karshi konkurrentëve tjerë në tregun regjional dhe më gjerë. Mendoj që është një objektiv shumë i qëlluar, që ne të synojmë që ta rrisim konkurrencën”, tha kryeministri Mustafa.
Ai tha se shanset e Kosovës, që të gjendet treg evropian, janë shumë më të mëdha pas nënshkrimit të marrëveshjes për Stabilizim-Asociim dhe të hyrjes në fuqi të kësaj marrëveshjeje, por se sipas tij, vetëm marrëveshja nuk siguron që Kosova të jetë prezent atje. Mustafa tha se duhet të bëhet shumë përgatitje për këtë industri dhe industritë tjera, më tepër në rritjen e konkurrencës, në hulumtimin dhe njohjen e tregut, në dizajnimin e produkteve.
Kryetari i Bordit të Shoqatës së Drurit, Hashim Deshishku, tha se ky sektor është zhvilluar mjaft edhe me përkrahjen e USAID-it, ku sipas tij, kjo industri mundëson krijimin e vendeve të mëdha të punës. Deshishku tha se Kosova ka potencial të madh të pyjeve dhe kërkoi nga Qeveria lirimin nga TVSh për lëndën e parë që importohet nga vendet e huaja.
“ShDK para së gjithash absorbon një numër të madh të njerëzve në punë, kur dihet se në Kosova është një numër I madh I të pa punëve. Andaj, është shumë ë rëndësishme që të investohet në këtë sektor… 42 për qind e sipërfaqes së përgjithshme të Kosovës është e mbuluar me pyje. Kosova ka kaluar në tri faza të rëndësishme, të zhvillimit ekonomik, një fazën emergjente dhe në fazën e privatizimit të ndërmarrjeve me pronësi shoqërore…. Produktet e eksportuara janë kryesisht të llojeve të ndryshme”, tha Deshishku.
USAID përmes komponentës së tij për fuqizimin e sektorit privat, punon ngusht me prodhuesit dhe përpunuesit e drurit të Kosovës. Me këtë rast drejtori i USAID, James Hope tha se është e rëndësishme Konventa mbas një suksesi të ndërmarrjeve të drurit. Ai tha se është e nevojshme të krijohen partneritet me kompani të huaja për krijimin e vendeve të reja të punës.
“Përfaqësuesit e sektorit të përpunimit të drurit që janë sot këtu të cilët përmes investimeve dhe punës të palodhshme, kreativitetin dhe punën e tyre e kanë bërë Kosovën një shtet që sot në 2016 prodhon produkte druri të klasit dhe kualitetit botëror në tregun Europian dhe më gjerë. Ka qenë një rrugë e gjatë që nga 2004 dhe USAID-i është shumë krenar që ka qenë partner me shoqatën e përpunuesve të drurit në Kosovë që nga ditët e hershme. Dhe përmes kësaj shoqate me bizneset e sektorit të përpunimit të drurit që janë prezentë sot këtu. Ka qenë një rrugë shumë e gjatë por ne jemi shumë krenarë si USAID”, tha Hope.
Industria e drurit, sipas tij, nuk mbështetet vetëm nga USAID, por edhe nga SIDA e Zvicrës dhe Qeveria e Kosovës.
Në këtë Konventë, u lansua edhe portali për promovimin e industrisë së drurit. Tematika e Konventës së Industrisë së Drurit ishte “Përpunimi i drurit në fokus trendet, teknologjia dhe mjedisi i biznesit./KP