Rajon & Botë

Përplasje e ashpër SHBA – Rusi në Këshillin e Sigurimit të OKB-së

Rusia të martën përdori veton e saj të shtatë për të mbrojtur qeverinë siriane nga masat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duke bllokuar përpjekjet e fuqive perëndimore për të imponuar sanksione ndaj Damaskut nën akuzat për sulme të dyshuara me armë kimike gjatë luftës gjashtë vjeçare në Siri.

Kina ka mbështetur Rusinë dhe përdorur veton e saj të gjashtë për rezolutën për Sirinë. Rusia bëri të ditur se kjo rezolutë, e cila është hartuar nga Franca, Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara, do të dëmtojë bisedimet e paqes në Gjenevë nën patronazhin e OKB-së midis palëve ndërluftuese në Siri, e cila filloi javën e kaluar, raporton Blic.

Nëntë anëtarët e Këshillit votuan për rezolutën, Bolivia ishte kundër, ndërsa Egjipti, Etiopia dhe Kazakistani abstenuan. Në mënyrë që të kalojnë rezoluta, janë të nevojshme nëntë vota “për”, me kusht që Shtetet e Bashkuara, Franca, Rusia, Britania e Madhe dhe Kina nuk e përdorin veton.

Presidenti rus, Vladimir Putin, tha të marten se projekt rezoluta ishte “krejtësisht e papërshtatshme”.

“Kjo është një ditë e trishtuar për Këshillin e Sigurimit, kur anetarët fillojnë që të japin justifikime për shteteve e tjera anëtare që vrasin popullin e tyre. Bota definitivisht është bërë një vend më i rrezikshëm”, tha pas votimit ambasadorja amerikane në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Nikki Haley.